Skip to Content

UBT bashkë-organizon Workshopin Rajonal për Inovacionin, Kërkimin dhe Zhvillimin Strategjik

Universiteti Bujqësor i Tiranës, në bashkëpunim me Universitetin Polis, organizoi Workshopin Rajonal për Inovacionin, Kërkimin dhe Zhvillimin Strategjik me temë “Inovacion sot për një të ardhme evropiane në Ballkan”, i zhvilluar më 16–17 shkurt 2026. Aktiviteti mblodhi akademikë, ekspertë, përfaqësues institucionesh dhe profesionistë nga rajoni dhe Europa, me synimin për të forcuar bashkëpunimin ndëruniversitar dhe për të nxitur zhvillimin e inovacionit dhe kërkimit të aplikuar.


Në sesionin hapës, Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, theksoi rëndësinë e rolit të universiteteve në ndërtimin e ekosistemeve të inovacionit dhe në përafrimin e arsimit të lartë me prioritetet strategjike europiane, duke nënvizuar procesin e transformimit akademik që po zhvillon UBT përmes ndërkombëtarizimit dhe lidhjes së arsimit me zhvillimin ekonomik dhe të qëndrueshëm.


Zv/Rektorja për Shkencën dhe Projektet në UBT, Prof. Dr. Erinda Lika, prezantoi temën “Formimi i së Ardhmes së Shkencave të Jetës në Universitetin Bujqësor të Tiranës: Përparimi i Kërkimit, Mësimdhënies dhe Arsimit të Lartë”. Ajo theksoi reformat akademike të ndërmarra nga UBT në bashkëpunim me Universitetin BOKU të Vjenës, të orientuara drejt modernizimit të programeve studimore, forcimit të kërkimit shkencor dhe përafrimit të arsimit të lartë me standardet europiane, duke përgatitur profesionistë të aftë për sfidat e sektorëve agro-mjedisorë dhe të shkencave të jetës.


Në vijim të diskutimeve mbi transformimin teknologjik të bujqësisë, Prof. Dr. Endrit Kullaj prezantoi temën “Drejt një ekosistemi dixhital bujqësor në Shqipëri: Politika, Edukimi dhe Praktika”, ku u trajtua rëndësia e digjitalizimit, përdorimit të të dhënave dhe inovacionit teknologjik në zhvillimin e bujqësisë moderne. Prezantimi theksoi nevojën për harmonizimin e politikave publike, arsimit universitar dhe praktikave në terren për ndërtimin e një sektori agro-ushqimor më efikas dhe konkurrues.


Workshopi shërbeu si një platformë për shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave më të mira ndërmjet universiteteve dhe ekspertëve ndërkombëtarë, duke forcuar bashkëpunimin rajonal në fushat e inovacionit, arsimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Përmes këtij aktiviteti, Universiteti Bujqësor i Tiranës riafirmoi rolin e tij si një aktor kyç akademik në rajon, i angazhuar në ndërtimin e urave mes arsimit, kërkimit shkencor dhe industrisë, si dhe në avancimin e një modeli universitar të orientuar drejt inovacionit, ndërkombëtarizimit dhe integrimit europian.