Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, zhvilloi këtë të martë një takim me Komisionin e Studimeve në nivel universitar si dhe grupet e punës, në kuadër të vijimit të procesit për konkludimin e strukturës përmbajtësore të programeve Master.
Gjatë takimit u diskutua mbi përfundimin e përmbajtjes akademike të programeve Master, të cilat do të përbëjnë ofertën e re akademike për studentët. Vëmendje e veçantë iu kushtua përshtatjes së programeve dhe kurrikulave sipas modelit të Universitetit BOKU të Vjenës, duke garantuar standarde bashkëkohore dhe cilësi të lartë akademike.
Ky takim vjen në prag të Misionit të radhës të ekipit të BOKU në Tiranë, në fund të muajit janar. Gjatë këtij misioni grupet e punës do të prezantojnë përmbajtjen e programeve Master dhe Kurrikulat e harmonizuara me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Puna për transformimin e Universitetit Bujqësor të Tiranës vijon, në kuadër të reformës strategjike UBT–BOKU 2030, e cila synon modernizimin e plotë të programeve të studimit, rritjen e cilësisë akademike dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në shërbim të studentëve dhe zhvillimit të arsimit të lartë në vend.



