Skip to Content

Studentët e UBT praktikë mësimore në industrinë e drurit

Studentët e programit Dizajni i Mobiljeve dhe Inxhinieri Druri në UBT zhvilluan praktika mësimore në bashkëpunim me kompani të përpunimit të drurit, duke ndërtuar një lidhje të drejtpërdrejtë mes formimit në auditor dhe realitetit të industrisë.

Gjatë kësaj eksperience në terren, ata patën mundësinë të njihen nga afër me proceset prodhuese, funksionimin e makinerive dhe pajisjeve bashkëkohore, si dhe me standardet teknike që zbatohen në industrinë moderne të përpunimit të drurit.

Fokusi kryesor i praktikave ishte njohja me teknologjitë e reja që po zënë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në tregun shqiptar, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit të prodhimit dhe në përmirësimin e cilësisë së produkteve finale. Përmes vëzhgimit të proceseve konkrete të punës, studentët kuptuan më qartë organizimin e reparteve, ndarjen e proceseve sipas fazave të prodhimit dhe format e menaxhimit të brendshëm që garantojnë koordinimin dhe funksionimin efikas të aktiviteteve industriale.

Kjo përvojë u dha studentëve edhe një këndvështrim më praktik mbi sipërmarrjen në fushën e dizajnit dhe përpunimit të drurit. Duke parë nga afër modele reale të organizimit dhe menaxhimit të prodhimit, ata u inkurajuan të mendojnë për nisma inovative dhe mundësi konkrete për krijimin e startup-eve që ndërthurin kreativitetin, teknologjinë dhe kërkesat e tregut.