Studentë të programeve Master i Shkencave (MSc) në Shkenca Agronomike dhe Energji e Rinovueshme, nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, zhvilluan një vizitë studimore dhe profesionale në Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore Vlorë.
Gjatë kësaj vizite, studentët u njohën nga afër me veprimtarinë kërkimore dhe fushat kryesore të punës së qendrës, të cilat përfshijnë përshtatjen dhe testimin e teknologjive dhe inputeve të reja bujqësore, zhvillimin e paketave teknologjike dhe projekteve të zbatueshme në terren për fermerët, si edhe ofrimin e asistencës teknike dhe trajnimeve profesionale për projektimin, ngritjen dhe menaxhimin e fidanishteve dhe plantacioneve.
Vizita shërbeu si një mundësi e rëndësishme për të forcuar lidhjen mes formimit akademik dhe praktikës profesionale, duke kontribuar në rritjen e aftësive praktike të studentëve, në kuptimin më të thelluar të proceseve të transferimit të njohurive dhe adoptimit të teknologjive inovative, si edhe në zgjerimin e perspektivave për angazhim profesional dhe punësim në të ardhmen.
Universiteti Bujqësor i Tiranës shpreh mirënjohjen për stafin e Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore Vlorë për mikpritjen dhe për ndarjen e përvojës së vlefshme shkencore dhe profesionale me studentët.






