Ruzhdi Koni dikur ëndërronte të bëhej futbollist. Studimet në Universitetin Bujqësor të Tiranës nuk erdhën si rezultat i pasionit, por si një zgjedhje e imponuar nga sistemi i para viteve 90. Megjithatë, me kalimin e kohës, ai kuptoi se pikërisht profesioni i agronomit do t’i siguronte një jetë që nuk e kishte imagjinuar kurrë.
Pasi ndërtoi pikën e tij të parë të grumbullimit dhe punoi si tregtar frutash dhe perimesh, Ruzhdiu e kuptoi se e ardhmja e biznesit kërkonte një drejtim të ri. Në vitin 2007, ai themeloi fidanishten “Agro Koni”, e cila sot prodhon një gamë të gjerë perimesh dhe bashkëpunon me mbi 2000 fermerë nga e gjithë Shqipëria, të cilët kanë lidhur kontrata me këtë kompani.
Jo vetëm kaq, por fidanët e prodhuar në vend po preferohen gjithnjë e më shumë edhe në vendet e rajonit, falë përdorimit të metodave moderne perëndimore të kultivimit.
Si një agronom vizionar, qasja e tij ndaj sigurisë ushqimore ka qenë gjithmonë në fokus. Ruzhdi Koni ka qenë ndër të parët që ka futur në Shqipëri përdorimin e bletëve për pjalmim në sera, duke zëvendësuar hormonet artificiale. Sot, falë një pune të gjatë dhe këmbëngulëse, ai ka arritur të bindë shumicën e fermerëve të heqin dorë nga hormonet dhe të përdorin pjalmimin natyral me bletë — një “luftë” që ai e konsideron të fituar.
Prej katër vitesh, ai ka shkuar edhe më tej, duke aplikuar kontrollin biologjik për të reduktuar dhe eliminuar përdorimin e pesticideve, duke kontribuar kështu në një bujqësi më të qëndrueshme dhe më të sigurt për konsumatorin.
Një podcast i realizuar nga gazetarja Rudina Muça