Në Klinikën Veterinare të Fakultetit të Mjekësisë Veterinare në Universiteti Bujqësor i Tiranës, studentëve të vitit të pestë iu demonstrua nga stafi akademik dhe klinik procesi i përgatitjes preoperative për ndërhyrjen kirurgjikale të frakturës së femurit, si pjesë e formimit të tyre profesional dhe praktik klinik.
Pacientja, një mace 17-muajshe miks europiane, kishte pësuar traumë si pasojë e rënies nga ballkoni, duke kërkuar trajtim kirurgjikal ortopedik. Gjatë demonstrimit, studentët u njohën në mënyrë të detajuar me vlerësimin fillestar klinik të pacientit, stabilizimin e gjendjes shëndetësore, protokollet e anestezisë, si dhe procedurat standarde të përgatitjes për ndërhyrje kirurgjikale, duke respektuar të gjitha kriteret e sigurisë dhe mirëqenies së kafshëve.
Ky aktivitet praktik përfaqëson një komponent thelbësor të procesit mësimor, pasi u mundëson studentëve të zhvillojnë aftësi profesionale në menaxhimin e rasteve reale klinike dhe në aplikimin e njohurive teorike në praktikë. Përmes këtyre demonstrimeve, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare synon të përgatisë profesionistë të kualifikuar, të aftë për të përballuar sfidat bashkëkohore të mjekësisë veterinare dhe për të kontribuar në rritjen e standardeve të shërbimit veterinar.