Skip to Content

Protokolli i Montrealit dhe roli i grave: Studentët e UBT në qendër të debatit klimatik

Njësia Kombëtare e Ozonit në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Pyjore, organizoi aktivitetin ndërgjegjësues me temë: “Femrat dhe Aksioni për Klimën: Protokolli i Montrealit dhe roli i RRR për një të ardhme të qëndrueshme.”

Ky aktivitet u organizua nën kujdesin e veçantë të Prof. Dr. Elvin Toromani, Dekan i Fakultetit të Shkencave Pyjore në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Gjatë prezantimeve u trajtuan një sërë temash të rëndësishme që lidhen me Protokollin e Montrealit, zbatimin e tij në Shqipëri, si dhe rëndësinë e integrimit të perspektivës gjinore (Gender mainstreaming) në politikat dhe iniciativat mjedisore. U prezantuan video ndërgjegjësuese, u ndanë shembuj praktikë mbi përdorimin e teknologjive të pastra dhe u zhvilluan diskutime interaktive me studentet pjesëmarrës.

Pedagoget Teuta Halilaj dhe Ina Vejsiu theksuan rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla, duke nënvizuar se fuqizimi i vajzave dhe grave në fushat e shkencave mjedisore dhe klimatike është thelbësor për arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. Ato vunë në dukje se përfshirja e të rinjve, sidomos studenteve, kontribuon në krijimin e një gjenerate të vetëdijshme dhe të angazhuar për mbrojtjen e mjedisit.

Aktiviteti u finalizua me një diskutim të hapur, ku studentet shprehën interes të lartë për të qenë pjesë e inismave të ardhshme që promovojnë reduktimin e emetimeve, përdorimin e alternativave ekologjike dhe forcimin e rolit të tyre në proceset e vendimmarrjes mjedisore.