Bujqësia e së ardhmes dhe programet e reja të UBT, me synimin formimin e ekspertëve të fushës ishin fokusi i një emisioni televiziv në Ora News, ku të ftuar ishin Prof. Dr. Seit Shallari, Dekan i Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit, si dhe Fatos Huqi e Xhulio Sema, asisent lektorë, të cilët ndanë vizionin e universitetit për modernizimin e arsimit bujqësor, zhvillimin e kërkimit shkencor dhe rritjen e konkurrueshmërisë së bujqësisë shqiptare, në kuadër të procesit të integrimit në BE.
Prof. Dr. Seit Shallari theksoi reformën ne thellë të ofertës akademike, që ka ndërmarrë UBT, duke zhvilluar programe të reja studimi të orientuara drejt bujqësisë digjitale, zhvillimit të qëndrueshëm, sigurisë ushqimore dhe teknologjive të avancuara. Sipas tij, këto programe janë konceptuar për t'iu përgjigjur nevojave reale të tregut të punës dhe transformimeve që po kalon sektori agro-ushqimor.
Ai veçoi programin bachelor "Shkenca Bujqësore dhe Siguri Ushqimore", i cili synon të formojë specialistë modernë të fermës me njohuri në prodhim, menaxhim dhe zhvillim biznesi, si dhe programin "Teknologji Informacioni në Bujqësi", që fokusohet në bujqësinë digjitale, automatizimin, inteligjencën artificiale dhe robotikën.
Sipas Prof. Shallarit, programet e reja janë ndërtuar mbi një model multidisiplinor, ku ndërthuren shkencat natyrore, ekonomike dhe profesionale, duke përgatitur specialistë të aftë për të përmbushur standardet që kërkon tregu evropian. Ai vlerësoi gjithashtu partneritetin strategjik mes UBT dhe Universitetit BOKU të Vjenës, i cili ka shërbyer si bazë për modernizimin e programeve të studimit.
Duke folur për procesin e integrimit në BE, Prof. Shallari tha se Shqipëria do të përballet me standarde të reja në fushat e sigurisë ushqimore, mbrojtjes së mjedisit, zhvillimit rural dhe inovacionit teknologjik, ndërsa UBT po investon në përgatitjen e specialistëve që do të udhëheqin këtë transformim.
Asistenti lektor Xhulio Sema u ndal te rëndësia e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore dhe roli që kërkimi shkencor luan në procesin e integrimit evropian. Ai nënvizoi se UBT është e angazhuar në studime doktorature në bashkëpunim me universitete në Gjermani dhe me Universitetin BOKU të Vjenës, të fokusuara në menaxhimin e burimeve ujore dhe mbrojtjen e mjedisit.
Sipas Semës, në kuadër të këtij bashkëpunimi po implementohet një model teknologjik i përdorur në Gjermani, Austri dhe Luksemburg, i cili synon të aplikohet edhe në Shqipëri për monitorimin e cilësisë së ujërave dhe menaxhimin e baseneve ujore. Këto projekte lidhen drejtpërdrejt me përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian, veçanërisht me kërkesat e Kapitullit 27 për mjedisin.
Nga ana tjetër, asistenti lektor Fatos Huqi u fokusua te potenciali i bujqësisë shqiptare për t'u bërë më konkurruese në tregun evropian. Sipas tij, Shqipëria duhet të orientohet drejt produkteve ku gëzon avantazhe natyrore dhe mund të krijojë vlerë të shtuar, duke shfrytëzuar klimën e favorshme, pozicionin gjeografik dhe biodiversitetin e pasur.
Huqi veçoi sektorin e bimëve medicinale dhe aromatike si një nga fushat me potencialin më të madh për eksport, falë biodiversitetit të vendit dhe kërkesës në rritje në tregjet ndërkombëtare. Ai nënvizoi gjithashtu perspektivën e verërave shqiptare, të cilat vitet e fundit kanë përmirësuar ndjeshëm cilësinë dhe po fitojnë gjithnjë e më shumë hapësirë në tregun e Bashkimit Evropian.
Tre përfaqësuesit e Universitetit Bujqësor të Tiranës evidentuan se arsimi cilësor, kërkimi shkencor, inovacioni dhe bashkëpunimet ndërkombëtare përbëjnë bazën për zhvillimin e një bujqësie moderne, konkurruese dhe të përafruar me standardet e Bashkimit Evropian.