Skip to Content

Prof. Rexhep Uka në UBT: Leksion mbi mbrojtjen e bimëve dhe menaxhimin e integruar të dëmtuesve

Prof. Rexhep Uka ishtë i ftuar në UBT për të mbatjuar një leskion të hapur të fokusuar në sfidat e mbrojtjes së bimëve nga dëmtuesit shtazorë dhe rëndësinë e menaxhimit të integruar si qasja më efikase.

Prof. Uka trajtoi në mënyrë të detajuar konceptin e menaxhimit të integruar të dëmtuesve (IPM), duke e paraqitur atë si një nga rrugët më të qëndrueshme për mbrojtjen e kulturave bujqësore. Ai theksoi se mbrojtja e bimëve, edhe pse shpesh perceptohet si një fushë e specializuar, ka një ndikim të drejtpërdrejtë dhe të gjerë në ekonomi, mjedis dhe sigurinë ushqimore.

Profesori solli në vëmendje faktin se insektet kanë ekzistuar shumë më herët se njeriu dhe përbëjnë një komponent thelbësor të biodiversitetit, duke ndikuar ndjeshëm në balancën ekologjike.

Në vijim, ai ndau edhe të dhëna interesante mbi “abondancën e insekteve”, duke theksuar se biomasa e tyre në nivel global tejkalon ndjeshëm atë të shumë grupeve të tjera të gjallesave. Këto të dhëna shërbejnë si një tregues i rëndësisë së tyre në zinxhirët ushqimorë dhe në funksionimin e ekosistemeve natyrore.

Leksioni u ndoq me interes nga studentë, pedagogë dhe profesionistë të fushës, duke krijuar një hapësirë të vlefshme diskutimi mbi sfidat aktuale të bujqësisë dhe rolin e shkencës në adresimin e tyre.

Prof. Rexhep Uka, i cili ka mbajtur edhe detyrën e Ministrit të Bujqësisë, ka dhënë një kontribut të vyer në zhvillimin e sektorit si brenda auditorëve universitarë, ashtu edhe në hartimin dhe zbatimin e politikave bujqësore në nivel kombëtar.

Përmes aktiviteteve të tilla, UBT transmeton dije nga figura akademike me përvojë si Prof. Rexhep Uka, duke formësuar mendimin kritik dhe përgatitur një brez profesionistësh që do të udhëheqin transformimin e bujqësisë drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe inovative.