Në Qendrën e Përpunimit të Qumështit të Universitetit Bujqësor të Tiranës u zhvillua një praktikë mësimore mbi prodhimin e djathit Mozzarella, i drejtuar nga Ing.Teknolog Nazif Tivari, me studentët e vitit të parë të programit Master Shkencor në Teknologji Ushqimore.
Kjo ishte një orë ndryshe për studentët e lëndës “Shkenca e bulmetit dhe prodhimi i djathrave speciale” dhe u përqendrua në shpjegimin e fazave kryesore të procesit teknologjik të prodhimit të Mozzarellës, duke kombinuar teorinë me punën praktike në laborator. Studentët u përfshinë aktivisht në çdo fazë të procesit nga përpunimi fillestar i qumështit deri te formësimi final i produktit, duke fituar njohuri të drejtpërdrejta mbi teknologjinë e prodhimit të djathrave të freskët.
Në praktikë mori pjesë edhe Prof.Ass.Dr. Rozeta Hasalliu, e cila, së bashku me studentët, u angazhua në procesin praktik dhe në diskutimin e aspekteve teknike dhe profesionale që lidhen me prodhimin e djathrave speciale.
Mozzarella i përket grupit të djathrave pasta filata, ku masa e djathit ngrohet dhe shtrihet derisa të fitojë elasticitetin tipik dhe teksturën fibroze.
Ing.Teknolog Tivari ka një eksperincë 50 vjeçare në industrinë e qumështit në Shqipëri dhe jashtë vendit dhe njohuritë e tij në këtë fushë janë një vlerë e shtuar për studentët në UBT.
Kjo praktikë mësimore konsiderohet veçanërisht i rëndësishëm për formimin e studentëve, pasi u ofron atyre mundësinë të jenë në kontakt të drejtpërdrejtë me proceset reale të punës.
Universiteti Bujqësor i Tiranës po i vendos një fokus të veçantë mësimit praktik dhe përgatitjes profesionale të studentëve, duke synuar t’i pajisë ata me aftësi konkrete dhe të aplikueshme në tregun e punës dhe në industrinë e teknologjisë ushqimore.



