Skip to Content

Një partneritet për dijen: UBT dhe UMT bashkojnë forcat në fusha akademike dhe shkencore

Me synimin për të forcuar lidhjet akademike dhe për të nxitur bashkëpunimin kërkimor ndërinstitucional, Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe Universiteti i Mjekësisë, Tiranë nënshkruan këtë të enjte një marrëveshje të re bashkëpunimi.

Dokumenti u firmos nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, dhe Rektori i UMT-së, Prof. Dr. Xheladin Draçini, në një ceremoni zyrtare që shënoi fillimin e një partneriteti afatgjatë mes dy institucioneve kryesore të arsimit të lartë në vend.

Marrëveshja përcakton si prioritete kryesore:

-Zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe shkencore në fusha me interes të ndërsjellë;

-Krijimin e programeve të përbashkëta të studimeve, përfshirë bashkëudhëheqjen në doktoratura;

-Mbështetjen dhe promovimin e studiuesve të rinj, duke ofruar mundësi për formim dhe angazhim në kërkimin shkencor;

-Shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, për leksione, seminare dhe praktika studimore;

-Përdorimin e përbashkët të burimeve akademike e kërkimore, si bibliotekat, laboratorët dhe botimet shkencore.

Kjo nismë do të shërbejë si bazë për organizimin e konferencave, simpoziumeve dhe aktiviteteve të përbashkëta që forcojnë rolin e kërkimit shkencor në zhvillimin e dijes dhe inovacionit.

Nëpërmjet këtij bashkëpunimi, UBT dhe UMT synojnë të kontribuojnë në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe zhvillimin e kapaciteteve shkencore të vendit, duke ndërtuar ura bashkëpunimi që i shërbejnë progresit të përbashkët akademik dhe shoqëror.