Kishim kënaqësinë të prisnim në UBT një delegacion të CIHEAM – Mediterranean Agronomic Institute of Bari, të kryesuar nga Drejtori Ekzekutiv, Dr. Biagio Di Terlizzi.
Takimi ishte një mundësi për të rikonfirmuar marrëdhënien e ngushtë dhe historike ndërmjet UBT-së dhe CIHEAM-Bari, një partneritet që ndër vite ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve akademike dhe profesionale të universitetit, përmes trajnimeve, kurseve të specializuara, projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimit të ekspertizës. Shumë anëtarë të stafit akademik të UBT-së kanë kryer studime, trajnime apo qëndrime profesionale pranë këtij Instituti.
Sot, ky bashkëpunim synon të marrë një dimension të ri.
Në kuadër të reformës së UBT dhe orientimit të tij drejt një universiteti më kërkimor, më të lidhur me ekonominë dhe më aktiv në shërbim të shoqërisë, u diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit në projekte të përbashkëta, kërkim shkencor, transferim teknologjie, ekspertizë dhe konsulencë.
Ky orientim është në përputhje të plotë edhe me filozofinë e reformës së UBT-së: më shumë kërkim, më shumë ndërveprim me institucionet dhe ekonominë, më shumë transferim të dijes dhe teknologjisë dhe, mbi të gjitha, një rol më të madh të universitetit në shërbim të shoqërisë.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua mundësisë së angazhimit të ekspertëve të të dy institucioneve në mbështetje të Ministrisë së Bujqësisë dhe procesit të integrimit evropian, veçanërisht për përmbushjen e kërkesave të Kapitujve 11, 12 dhe 13.
U evidentuan fusha të shumta me interesa të përbashkëta dhe u dakordësua që brenda dy muajve ekipet e të dy institucioneve të zhvillojnë një takim të dedikuar pune për të përcaktuar fushat prioritare dhe një plan konkret veprimi për periudhën në vijim.
Një histori e gjatë bashkëpunimi, që tashmë synon të shndërrohet në një partneritet edhe më të fortë, më konkret dhe më të dobishëm për Shqipërinë.











