Skip to Content

Nis në UBT kursi i avancuar katërjavor në Farmacinë Veterinare

Universiteti Bujqësor i Tiranës, nëpërmjet Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, në bashkëpunim me Urdhrin Profesional të Mjekut Veterinar Shqiptar, ka nisur këtë javë zhvillimin e Kursit të Avancuar Katërjavor në Farmacinë Veterinare, i dedikuar mjekëve veterinarë që ushtrojnë profesionin apo synojnë të hapin farmaci veterinare.

Kursi është i strukturuar në katër module të detajuara, me një kombinim të orëve teorike, praktikave në terren dhe seminareve vlerësuese, duke përfshirë rreth 29 orë në javë gjatë tre javëve të para dhe 28 orë në javën e katërt.

Moduli I, i drejtuar nga Prof. Dr. Erinda Lika, fokusohet në Parimet e Farmakologjisë Klinike dhe Kimioterapisë Veterinare, duke trajtuar përdorimin e barnave, konceptin e dozimit, indeksin terapeutik, parametrat farmakokinetikë dhe farmakodinamikë, klasifikimin e antibiotikëve, kimiorezistencën, si dhe përdorimin dhe kontrollin e anestetikëve në farmaci veterinare. Moduli përfshin gjithashtu elemente të recepturës veterinare, organizim në grupe pune dhe seminare për kontrollin e dijeve.

Moduli II trajton Toksikologjinë e Mbetjeve Veterinare, Imunoprofilaksinë dhe Terapinë Hormonale, me kontributin e Prof. Dr. Jani Mavromatit, Prof. Dr. Xhelil Kolecit dhe Prof. Dr. Luigj Trumalajt. Në fokus janë mbetjet e medikamenteve në produktet me origjinë shtazore, rreziqet toksikologjike për shëndetin publik, strategjitë e vaksinimit, reaksionet post-vaksinale, kimioterapia antivirale dhe përdorimi i hormoneve në specie të ndryshme.

Moduli III i kushtohet Farmakologjisë Klinike të Aplikuar sipas specieve dhe sistemeve të prodhimit, duke trajtuar përdorimin e medikamenteve në kafshët ripërtypëse, kafshët e shoqërimit, njëthundrakët, aquaculturën dhe faunën e egër, si dhe problematikën e mbetjeve në qumësht dhe mish.

Moduli IV përqendrohet në Ligjshmërinë dhe Menaxhimin Profesional të Barnave Veterinare, duke përfshirë legjislacionin veterinar dhe farmaceutik, dokumentacionin për regjistrimin e barnave, rregulloret për importin dhe shitjen e tyre, si dhe praktika profesionale pranë depos farmaceutike veterinare dhe farmacive të licencuara. Në program përfshihet edhe trajtimi i Ligjit nr. 113/2015 “Për Urdhrin Profesional të Mjekut Veterinar” dhe Kodit të Etikës Profesionale.

Zhvillimi i këtij kursi përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e edukimit të vazhdueshëm profesional në fushën e farmacisë veterinare, duke garantuar përditësimin e njohurive shkencore, përputhshmërinë me legjislacionin në fuqi dhe rritjen e standardeve të shërbimit veterinar në Shqipëri.