Skip to Content

Maturantë nga Cërriku vizitojnë kampusin e UBT

Një grup maturantësh nga Shkolla e Mesme Profesionale Bujqësore “Mihal Shahini” në Cërrik zhvilluan një vizitë informuese në Universitetin Bujqësor të Tiranës, me qëllim njohjen nga afër me ofertën akademike dhe jetën universitare.


Gjatë vizitës, nxënësit u njohën me programet e studimit që ofron UBT, duke marrë informacion të detajuar mbi degët bachelor dhe mundësitë që ato ofrojnë për zhvillimin profesional në fushat e bujqësisë, mjedisit dhe shkencave të jetës. Ata patën gjithashtu mundësinë të vizitojnë ambientet universitare, auditorët, laboratorët modernë, si dhe konviktet, duke krijuar një panoramë të plotë mbi kushtet e studimit dhe jetesës në kampus.


Stafi i UBT i mirëpriti maturantët dhe ndau me ta këshilla të vlefshme për zgjedhjen e drejtimit të studimit, duke i inkurajuar të ndjekin pasionet e tyre dhe të ndërtojnë një karrierë të suksesshme në sektorët strategjikë të vendit.


Për Universitetin Bujqësor të Tiranës ishte një kënaqësi e veçantë interesi i treguar nga maturantët, të cilët udhëtuan nga Cërriku drejt Tiranës për të realizuar këtë vizitë informuese dhe për t’u njohur më nga afër me mundësitë që ofron UBT.


Prej disa kohësh tashmë UBT pret maturantë nga e gjithë Shqipëria për ti njohur me ofertën e re akademike e cila është ndërtuar nën supervizimin e Universitetit BOKU në Vjenë.