Me ftesë zyrtare të Rektorit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, këtë të premte në Sallën “Skënder Xhiku” pranë Agronomisë u zhvilluan leksione të hapura mbi Nefrologjinë dhe Urgjencat Nefrologjike Veterinare.
Dy nga lektorët më të njohur në Europë në këtë fushë, Prof. Dr. Vitalaru Bogdan Alexandru dhe Dr. Alina Ștefănescu, nga Universiteti i Agronomisë dhe Veterinarisë në Bukuresht, ndanë ekspertizën e tyre me studentët dhe profesionistët e fushës.
Të pranishëm ishin studentë të viteve të 3-ta, 4-ta dhe 5-ta të Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, si edhe veterinerë të praktikës së kafshëve të vogla, jo vetëm nga Tirana dhe rrethet, por edhe nga Mali i Zi dhe Kosova.
Leksionet u zhvilluan në një atmosferë interaktive, ku studentët u angazhuan në diskutime të hapura dhe morën njohuri të reja mbi zhvillimet më të fundit shkencore në nefrologjinë veterinare.
Eventit i parapriu një takim mes Rektorit Sallaku dhe dy lektorëve, ku u shkëmbyen ide dhe u diskutuan mundësi konkrete për bashkëpunime akademike në të ardhmen.
UBT vijon të krijojë ura ndërkombëtare bashkëpunimi për të sjellë pranë studentëve dhe stafit akademik ekspertizë të nivelit më të lartë europian.




