Skip to Content

Leksion në UBT mbi përshtatjen e bujqësisë ndaj klimës

Universiteti Bujqësor i Tiranës zhvilloi këtë të mërkurë, 14 janar një leksion të hapur mbi strategjitë agronomike të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, mbajtur nga Profesori i Asociuar Reinhard Neugschwandtner nga Universiteti BOKU. Leksioni vjen në kuadër të bashkëpunimit akademik ndërmjet dy institucioneve dhe u ndoq nga studentë, pedagogë dhe studiues të fushës së agronomisë.

Në prezantimin e tij me temë “Agronomic adaptation strategies under climate change”, profesori Neugschwandtner theksoi nevojën urgjente për përshtatjen e praktikave bujqësore përballë rritjes së temperaturave, thatësirave dhe paqëndrueshmërisë së reshjeve. Ai vuri theksin te strategjitë që synojnë kursimin e ujit dhe rritjen e eficiencës së përdorimit të tij, si dhe reduktimin e ndjeshmërisë së kulturave ndaj stresit hidrik.

Një ndër pikat kryesore të trajtuara gjatë leksionit ishte mbjellja në vjeshtë, e cila mundëson zgjatjen e periudhës së rritjes së bimëve, shfrytëzimin e reshjeve të vjeshtës dhe dimrit, si dhe pjekjen më të hershme të kulturave. Po ashtu u diskutua edhe rëndësia e kulturave të sezonit të ngrohtë.

Në prezantimin e tij Profesori u fokusua edhe te praktika e ndërkultivimit, e cila ndihmon në rritjen e rendimentit dhe stabilitetit të prodhimit, si dhe te punimi i tokës, ku u theksua se sistemi “no-till” (pa plugim) rezulton më i favorshëm në kushte thatësire. Po ashtu, u trajtuan roli i përmirësimit gjenetik dhe krijimit të varieteteve të reja, fertilizimi i përshtatur apo edhe përdorimi i kulturave C4.

Në përmbyllje, ky leksion nënvizoi se përshtatja agronomike ndaj ndryshimeve klimatike nuk është një zgjedhje, por një domosdoshmëri për të garantuar sigurinë ushqimore dhe qëndrueshmërinë e sektorit bujqësor.