Skip to Content

Leksion në UBT mbi përdorimin e dronëve në bujqësi

Në UBT u zhvillua një leksion  mbi përdorimin e dronëve (UAV) në bujqësi, me pjesëmarrjen e Hajrullah Cakaj nga kompania gjermane LIMAGRAIN GMBH. Studentët dhe stafi akademik i Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit patën mundësinë të njihen nga afër me teknologjitë moderne që përdoren për monitorimin dhe analizimin e fushave eksperimentale.

Gjatë këtij aktiviteti, studentët mësuan se si dronët përdoren për mbledhjen e të dhënave në terren, si ndihmojnë në përmirësimin e menaxhimit të parcelave dhe si rrisin saktësinë e analizave gjenetike të bimëve. U shpjegua gjithashtu funksionimi i sistemit GPS RTK, i cili siguron matje shumë precize dhe mundëson vlerësim të detajuar të kulturave bujqësore.

Njohuri të veçanta u dhanë për vlerësimin e tipareve kryesore të bimëve, si numri i tyre në parcelë, cilësia pas mbirjes dhe lartësia, si dhe për përpunimin dhe analizimin e imazheve të marra nga ajri. Studentët u informuan edhe mbi rëndësinë e hartave digjitale, kalibrimit të të dhënave dhe organizimit të saktë të informacionit gjatë eksperimenteve bujqësore.

Ky aktivitet theksoi rolin e teknologjisë moderne në zhvillimin e bujqësisë dhe në përmirësimin e kërkimit shkencor, duke sjellë përvojë dhe praktika bashkëkohore europiane në procesin mësimor.