Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama ishte sot i pranishëm në Universitetin Bujqësor të Tiranës në Konferencën e 5-të Ndërkombëtare mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë e Shqipërisë 2030.
Teksa vlerësoi punën e vazhdueshme të UBT-së në zgjerimin e bashkëpunimeve me partnerë ndërkombëtare në funksion të zhvillimit të sferës arsimore e kërkimore, Kryeministri Rama theksoi edhe rolin e UBT-së gjithnjë në rritje në përmirësimin e sektorit bujqësor në vend dhe përgatitjen e profesionistëve të rinj sipas standardeve europiane.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri tha se UBT ka ditur të ruajë vlerat e tij themelore si një qendër dije, kërkimi dhe inovacioni, duke u bërë një partner i besueshëm për qeverinë, për komunitetin shkencor brenda e jashtë vendit, dhe për fermerët e sipërmarrësit.
Ai tha se UBT është kthyer në pararojë të transformimit dhe ambicies për Shqipërinë e së nesërmes, duke u ndalur edhe tek partneriteti me Universitetin BOKU të Vjenës, që e cilësoi si një garanci për një rrugë që do të shtrohet me kontributin e të gjithëve dhe do të çojë në ditën e njehsimit të plotë të diplomave mes UBT-së dhe Universitetit BOKU të Vjenës.
"Sot Universiteti Bujqësor ka arritur në drejtimin e urtë dhe të duhur. Reformë që i vlen jo vetëm këtij universiteti, por që hap shumë rrugë të tjera. Më vjen mirë që nga një universitet që jetonte në një proces rrënimi, si rezultat i kthimit të kurrizit ndaj temave që ky universitet mbulon, në fillime ishte edhe i sulmuar, i kapur prej fyti, të disa metastazave brenda kancerit të ndërtimtarisë pa leje, ndërsa sot është kthyer në një pararojë të transformimit. Prarojë e përgjegjësisë. Padyshim që këtu ka një meritë të veçantë jo vetëm lidershipi i universitetit por edhe i gjithë stafi dhe studentët që e kanë mbështetur.
Të synojmë t’i japim universitetit markën e ekselencës dhe të frymëzojmë vajza dhe djem me këtë perspektivë përmes një mundësie të re që jep forcën e dijes për të qenë të nevojshëm për vendin dhe kudo tjetër. Është vetëm fillimi dhe ka rezultuar me 20% më shumë studentë, por jo me mesatare të ulur, por me studentë që kanë trokitur në derën e universitetit për të parë të ardhmen në këtë fushë, sepse ky universitet ka çelur një perspektivë të re për vajzat dhe djemtë e sotëm dhe ka krijuar premisat për ta parë të nesërmen në këtë fushë, që pavarësisht të gjitha zhvillimeve të jashtëzakonshme teknologjike dhe pavarësisht profesioneve deri sot të lakmuara, do të jetë një fushë aq jetike sa vlerësimet për njerëzit që jetojnë në këtë fushë," tha Kryeministri Rama.
