Kryeministri Edi Rama, nderon Profesor Hubert Hasenauer, ish-rektorin e Universitetit BOKU të Vjenës, me dekoratën “Ylli për Mirënjohje Publike”.
Ky vlerësim iu dha për kontributin e jashtëzakonshëm të Prof. Hasenauer në procesin e transformimit të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) sipas modelit akademik të BOKU të Vjenës, me synim njëhsimin e diplomave dhe ngritjen e standardeve të arsimit të lartë në Shqipëri.
Në fjalën e tij, Kryeministri Rama theksoi rëndësinë simbolike të këtij momenti:
“Ky është një moment që nxjerr në pah lidhjen mes dy traditash të vjetra, austriake dhe shqiptare, në një spirale të përbashkët vlerash si dija, përkushtimi dhe dashuria për tokën dhe njeriun. Falë frymës suaj, UBT-së i ka rilindur jo vetëm shpresa, por edhe ambicia, dëshira, pasioni dhe mbi të gjitha besimi.”
I nderuar me këtë çmim, Prof. Hasenauer u shpreh se e konsideron dekoratën si një vlerësim për të gjithë ekipin akademik që ka punuar me përkushtim në këtë rrugëtim të përbashkët:
“Ky nder që më bëni është vlerësim për të gjithë ne. I gjithë personeli mësimdhënës ka qenë pjesë e këtij procesi. Qeveritë e Shqipërisë dhe Austrisë na kanë mbështetur. I nderuar kryeministër, të nderuar ministra, ju faleminderit për mbështetjen dhe këtë dekoratë. Jam i privilegjuar të vijoj punën me UBT-në në Tiranë.”
Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e qeverive të të dy vendeve dhe vlerësoi kontributin e Prof. Hasenauer si thelbësor në zhvillimin e reformës së UBT-së:
“Nëpërmjet këtij dekorimi për Prof. Hubertin, po vlerësohet edhe UBT, arsimi i lartë shqiptar dhe mbi të gjitha po vlerësohen vlerat, përkushtimi, bashkëpunimi dhe integriteti. Prof. Hasenauer është një personalitet akademik që përfaqëson kombinimin mes vizionit, profesionalizmit dhe përkushtimit për të ndërtuar të ardhmen me besim e durim. Ai ka qenë për ne një mentor, partner dhe mik.”
Ceremonia shënoi një moment të veçantë për Universitetin Bujqësor të Tiranës, duke thelluar më tej marrëdhëniet akademike dhe kulturore mes Shqipërisë dhe Austrisë dhe duke afirmuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në arsim dhe kërkim shkencor.





