Bashkëpunimi ndërinstitucional mes UBT dhe BOKU Vjenë po thellohet më tej në kuadër të projektit afatgjatë UBT–BOKU 2030, duke synuar rritjen e cilësisë së kërkimit shkencor dhe ndërkombëtarizimin e programeve akademike në fushën e shkencave zooteknike dhe agro-mjedisore.
Në këtë kuadër, Prof. Dr. Etleva Delia nga Departamenti i Shkencave Zooteknike, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit në UBT, zhvilloi një vizitë pune në BOKU Vjenë, me ftesë të Drejtorit të Institute of Animal Nutrition, Livestock Products and Nutrition Physiology, Martin Gierus, si dhe të Prof. Christiane Schwarz.
Gjatë vizitës, u zhvilluan takime pune me stafin akademik dhe kërkimor të institutit, ku u diskutuan konkretisht mundësitë për:
- aplikime të përbashkëta në projekte ndërkombëtare kërkimore;
- shkëmbim të stafit akademik dhe mobilitet të studentëve;
- bashkë-udhëheqje doktoraturash dhe mbështetje për doktorantët e rinj;
- zhvillim të përbashkët të infrastrukturës kërkimore dhe metodologjive inovative.
Prof. Delia u njoh nga afër me fokusin aktual të kërkimeve shkencore në BOKU, temat e doktorantëve në zhvillim, si dhe me laboratorët modernë që mbështesin studimet në fushën e ushqimit dhe fiziologjisë së kafshëve — elementë kyç për transferimin e përvojës dhe ngritjen e kapaciteteve edhe në UBT.
Një moment i rëndësishëm i vizitës ishte pjesëmarrja në simpoziumin shkencor vjetor “Animal Nutrition in the Digital Age”, ku u prezantuan zhvillimet më të fundit në dixhitalizimin e të ushqyerit të kafshëve, përdorimin e teknologjive të avancuara në formulimin e racioneve dhe optimizimin e performancës së blegtorisë në mënyrë të qëndrueshme. Kjo pjesëmarrje shërben si urë lidhëse për përfshirjen e UBT në rrjete më të gjera ndërkombëtare kërkimore dhe industriale.
Bashkëpunimi UBT–BOKU 2030 përfaqëson një hap strategjik drejt ndërtimit të një partneriteti afatgjatë, me synim rritjen e cilësisë së mësimdhënies, fuqizimin e kërkimit shkencor dhe krijimin e mundësive konkrete për studentët dhe stafin akademik të të dy institucioneve.


