Grupi i profesorëve nga Universiteti i Staffordshire (UK), Universiteti i Shkencave të Jetës dhe Teknologjisë në Letoni, dhe Universiteti i Leonit në Spanjë vizituan Universitetin Bujqësor të Tiranës nga 3 deri më 7 Nëntor 2025. Ata morën pjesë në Konferencën e 5-të Ndërkombëtare mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë e Shqipërisë 2030, e organizuar nga UBT.
Gjatë kësaj periudhe, profesorët e nderuar – Dr. Ahmad Mlouk, Dr. Irina Pilvere, Dr. Lana Janmere dhe Dr. Ignacio Manuel Guerra Romero – zhvilluan leksione të hapura me studentët e Masterit Shkencor në Fushat e Financës-Kontabilitetit, Ekonomiks dhe Ekonomisë dhe Politikave të Zhvillimit Rural, pjesë e Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit të UBT. Studentët u njohën me tema si:
- Siguria ushqimore në Evropë,
- Metodat kërkimore shkencore,
- Mundësitë e karrierës në fushën e financës dhe kontabilitetit,
- Zhvillimet e fundit në inxhinierinë rurale.
Një moment tjetër i rëndësishëm ishte sesioni mbi zhvillimin rural dhe menaxhimin e agrobiznesit, ku Dr. Ahmad Mlouk, në bashkëpunim me kordinatoren akademike Prof. Asoc. Albana Gjoni, prezantuan punimin e tyre mbi ndikimin e adoptimit të standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar (IFRS) në cilësinë e raportimeve financiare në Shqipëri.
Në përmbyllje të aktiviteteve, grupi i profesorëve iu bashkua akademikëve vendas dhe të huaj në një ekskursion në Lushnjë, Belsh dhe Divjakë, duke kontribuar në një këmbim të vlefshëm të eksperiencave dhe njohurive.
Ky aktivitet ka qenë një mundësi e shkëlqyer për studentët dhe akademikët e UBT-së për të ndarë dhe përvetësuar njohuri të reja dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar.



















