Të gjithë duan të kenë një fermë. Një “inkubator” ku mund të jetojnë më të qetë, larg kaosit urban dhe ku mund të shpalosin pasionin për lulet, pemët dhe kafshët. Disa e mendojnë ta ndërtojnë kur të pensionohen dhe disa të tjerë të nisin jetën nga aty.
Prej shumë vitesh, bujqësia është parë nga shumë të rinj si një sektor i të kaluarës që lidhej ngushtë me punën e mundimshme fizike dhe mundësi pune të kufizuara dhe me pagesa të ulëta.
Por perspektiva tregon se fermeri i së ardhmes do të kalojë më shumë kohë në laptop sesa mbi një traktor. Bujqësia nuk ka të bëjë vetëm me bujqësinë. Ajo ofron gjithashtu mundësi karriere në marketing, komunikim, biznes, shkenca mjedisore, mjekësi veterinare, teknologji ushqimore dhe tregti ndërkombëtare.
Realiteti tregon se në Shqipëri por jo vetëm, bujqësia është një nga sektorët më strategjikë dhe të kërkuar. Bujqësia vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare, duke kontribuar me rreth 18% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), një nivel shumë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian. Një pjesë e madhe e shqiptarëve e kanë aktivitetin kryesor nga ata marrin të ardhurat.
Por sot, një nga sfidat më të mëdha të bujqësisë është mungesa e specialistëve të rinj. Mosha mesatare e fermerëve në Europë sa vjen dhe rritet dhe kjo dukuri po bëhet prezente edhe në Shqipëri. Tregu sot po kërkon gjithnjë e më shumë agronomë, veterinerë, inxhinjerë mjedisi, teknologë ushqimorë apo ekspertë të zhvillimit rural.
Sot shati, parmenda, lopata e shumë vegla të tjera pune po zëvendësohen me teknologji të reja të cilat japin shumë shpresë që bujqësia mund të ecë shumë më përpara. Arsyeja më e fortë pse të rinjtë duhet të studiojnë bujqësi lidhet me transformimin teknologjik të sektorit. Dronët për monitorimin e kulturave, AI në analizimin e të dhënave, sensorët e ujitjes e shumë teknologji të reja po përdoren duke sjellë kështu një modernizim të sektorit dhe lehtësim në punën e përditshme të fermerëve.
Në botën ku jetojmë, uji, mjedisi apo ushqimi po bëhen burime shumë të çmuara të cilat duke filluar që tani dhe jo në të ardhmen e largët po kërkojnë vazhdimisht ekspertë. Të rinjtë shqiptarë duhet të jenë në pararojë të këtyre zhvillimeve të rëndësishme që po ndryshojnë kërkesat në tregun e punës.
Të gjithë mund të jenë ndeshur me pyetjen: Cilat vende pune do të zëvendësojë inteligjenca artificiale? Në bujqësi, AI do të jetë një ndihmesë për modernizimin e sektorit, pasi toka është baza. Nevoja për ushqim nga toka është e përhershme.
Agroturizmi në Shqipëri përpara disa vitesh ishte një utopi. Ndërsa sot, zhvillimet në sektorin e turizmit kanë sjellë që Shqipëria të “mburret” me produktet e saj, me eksperiencën autentike. Ky kombinim i bujqësisë dhe turizmit, përveçse punëson shumë shqiptarë, po sjell një motivim edhe te të rinjtë se agroturizmi është një investim serioz dhe çfarë është më e rëndësishmja sjell qëndrueshmëri.
A e dini se në fshatin Hoxhaj të Beratit, rreth 80 fermerë të rinj kanë transformuar prodhimin në sera duke përdorur metoda moderne të kontrollit biologjik, duke reduktuar përdorimin e pesticideve në minimum ose zero. Produktet e tyre eksportohen në tregjet europiane, ku standardet janë shumë të larta. Në Korçë, një fermer merr vendime duke lexuar të dhënat nga sensorët, jo vetëm duke parë qiellin. Ndërsa në Vlorë një grup fermerësh kanë instaluar sisteme ujitjeje me energji diellore dhe makineri moderne për përpunimin e mbetjeve të krasitjes së ullirit duke ulur kostot dhe duke rritur produktivitetin.
Imagjino që një ditë të shohësh një produkt të krijuar nga ty, me stemën "Made in Albania", në marketet e botës, kjo është një mundësi reale që e bën bujqësinë një profesion me ndikim global. Një ide e zgjuar në bujqësi mund të vlejë miliona.
Megjithëse në dukje klishe, të rinjtë shqiptarë sot përveçse të ardhmen e tyre, mbajnë në supe edhe të ardhmen e sektorit të bujqësisë dhe ekonomisë shqiptare. Sot bujqësia është “IN” dhe një i ri Gen Z nuk ka arsye ta nënvlerësojë këtë sektor specifik i cili përveçse të jep kënaqësinë e korrjes së të mbjellës, nuk të lë asnjëherë në baltë.
Pyetja që duhet t'i bëjë vetes çdo maturant i cili është përpara zgjedhjes së jetës për çfarë do të studiojë nuk është nëse bujqësia ka të ardhme. Pyetja është nëse dëshiron të jetë pjesë e sektorit që do të ushqejë, mbrojë mjedisin dhe zhvillojë ekonominë shqiptare në dekadat e ardhshme. Sepse bujqësia e së nesërmes nuk ndërtohet vetëm me tokë. Ndërtohet me dije.
Nga ana tjetër, universitetet moderne nuk po përgatisin më vetëm agronomë tradicionalë. Ato po formojnë profesionistë që kombinojnë biologjinë, teknologjinë, ekonominë, inteligjencën artificiale dhe sipërmarrjen për t'iu përgjigjur sfidave të bujqësisë moderne. I tillë është edhe rasti i Universitetit Bujqësor të Tiranës i cili po bëhet pararojë e këtyre zhvillimeve.
Bujqësia nuk duhet të jetë vetëm një thirrje e brendshme tek ata që kanë histori familjare të biznesit në këtë fushë, por ajo mund të krijohet dhe më pas trashëgohet.
Sepse të gjithë duan të kenë një fermë.