Në Bazën Eksperimentale të Institutit të Resurseve Gjenetike të Bimëve (IRGJB), pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, u organizua një Ditë Fushore me pjesëmarrjen e institucioneve publike, ekspertëve të sektorit bujqësor dhe përfaqësuesve të biznesit.
Aktiviteti u zhvillua në bashkëpunim me Entin Shtetëror të Farave dhe Fidanëve (ESHFF) dhe shërbeu si një platformë për prezantimin e rezultateve të kërkimeve shkencore dhe eksperimenteve të realizuara në fushën e resurseve gjenetike bimore. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përfaqësues të Departamentit të Shkencave Agronomike të UBT-së, si dhe aktorë të sektorit privat që operojnë në fushën e bujqësisë.
Gjatë prezantimeve, studiuesit e IRGJB-së ndanë rezultatet e eksperimenteve kërkimore që lidhen me rigjenerimin, vlerësimin dhe karakterizimin e resurseve gjenetike bimore, duke evidentuar rëndësinë e ruajtjes dhe përdorimit të tyre për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë shqiptare.
Një pjesë e rëndësishme iu kushtua prezantimit të rezultateve paraprake të testimit të dhjetë varieteteve të patates, një proces i realizuar nga ESHFF me qëllim identifikimin e varieteteve më të përshtatshme për kushtet agroklimatike të zonës së Tiranës. Testimi synon të vlerësojë potencialin e tyre për kultivim komercial, përpunim industrial dhe konsum të freskët, si edhe regjistrimin e varieteteve më premtuese në Katalogun Kombëtar të Varieteteve.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të vizitojnë parcelat eksperimentale, të njihen nga afër me materialin bimor të testuar dhe të diskutojnë mbi sfidat dhe mundësitë për përmirësimin e prodhimit bujqësor përmes kërkimit shkencor dhe inovacionit.
Përmes organizimeve të tilla, Universiteti Bujqësor i Tiranës vijon të forcojë lidhjen mes kërkimit shkencor, institucioneve publike dhe sektorit privat, duke kontribuar në zhvillimin e një bujqësie më konkurruese dhe të qëndrueshme në vend.




