Takimet, në ditën e dytë të misionit në BOKU, Vjenë, nisën me një sesion të Rektorit, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku dhe Zv. Rektores për Kërkimin Prof. Dr. Erinda Lika, me Prof. Dr. Hubert Hasenauer, ku u diskutua roli i profesorëve në programet e reja mësimore.
Më pas, axhenda vijoi me diskutime mbi "Environmental Engineering dhe Water Management", duke përfshirë specializimet në menaxhimin e burimeve natyrore dhe ujin, si dhe iniciativën evropiane EIT Water dhe temat e ekonomisë bujqësore, inovacionit dhe turizmit rural.
Në sesionin Biotech, u shqyrtua struktura e programeve Master të propozuara nga UBT, përfshirë “Food Engineering” me tre specializime, “Nutrition Science” dhe programin ndërdisiplinor “Food Safety”, në përputhje me standardet ndërkombëtare të BOKU.
Pasdite, fokus u vu tek Landscape Planning, Tourism dhe Rural Development, duke diskutuar programet e masterit në planifikim peizazhi dhe zhvillimin rural.
Paralelisht, u zhvilluan takime mbi Teaching, Administration and Assessment, ku u diskutua struktura e departamenteve, modulet e programeve të reja dhe procesi i vlerësimit, me përfshirjen e stafit drejtues të fakulteteve.
Në kuadër të përgatitjes së propozimit për Masterin e Shkencave në Digjitalizim dhe Automatizim në Bujqësi, Prof. Endrit Kullaj, drejtues i grupit të punës, realizoi takime me Prof. Andreas Holzinger dhe ekipin e tij të robotikës dhe inteligjencës artificiale për bujqësinë e zgjuar, ku veç vizitës së laboratorëve u bënë edhe diskutime të zgjeruara mbi organizimin e kurrikulës dhe moduleve si machine learning, robotike bujqesore, etj.
Dita përfundoi me reflektime mbi harmonizimin e programeve të studimit, strukturën e programeve Master dhe diskutime mbi strategjitë e zhvillimit akademik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.






