Skip to Content

Dita e dytë e CASEE 2026, prezantohet UBT2030

Konferenca ndërkombëtare CASEE 2026 vijoi punimet në ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës, ku dita e dytë iu kushtua kryesisht prezantimit të rezultateve, reformave dhe vizionit strategjik të projektit UBT2030, një nga proceset më të rëndësishme të transformimit të arsimit të lartë në Shqipëri.


Sesionet mblodhën profesorë, studiues dhe ekspertë nga universitete dhe institucione europiane, të cilët diskutuan mbi modernizimin e programeve të studimit, kërkimin shkencor, ndërkombëtarizimin dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Europian.


Në hapje të sesionit të parë, Prof. Dr. Hubert Hasenauer nga Universiteti BOKU prezantoi vizionin, misionin dhe kompetencat kryesore të projektit UBT2030, duke theksuar rëndësinë e krijimit të një modeli modern universitar të bazuar në kompetenca, inovacion dhe kërkim shkencor. 


Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, prezantoi historikun dhe pritshmëritë e reformës UBT2030 ku evidentoi  se objektivat kryesore të reformës përfshijnë modernizimin akademik, ekselencën në kërkim shkencor, ndërkombëtarizimin, transferimin e dijes dhe inovacionit, si dhe forcimin e rolit rajonal të UBT-së. Gjatë prezantimit të filozofisë së reformës UBT-BOKU, ai theksoi se transformimi i universitetit nuk është thjesht një ndryshim strukturor apo akademik, por një model i ri zhvillimi. Sipas kësaj filozofie, reforma synon krijimin e një universiteti ku studentët besojnë në vlerën reale të diplomës së tyre, pedagogët ndihen të vlerësuar për kontributin e tyre dhe partnerët institucionalë e shoqëria shohin universitetin si një motor zhvillimi dhe inovacioni për të ardhmen.


Prof. Dr. Erinda Lika prezantoi rëndësinë e kërkimit shkencor për një arsim të lartë cilësor ku një vëmendje të veçantë ajo i kushtoi reformimit të doktoraturave dhe modelit të ri PhD në UBT.


Prof. Adrian Maçi prezantoi programet e reja Bachelor dhe Master të universitetit ndërsa Prof. Johann Sölkner dhe Prof. Spase Shumka prezantuan programin e mobilitetit dhe bashkëpunimit kërkimor të UBT-së.


Prof. Petra Winter, Presidente e EAEVE (European Association of Establishments for Veterinary Education), foli mbi reformimin e edukimit veterinar në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe rëndësinë e akreditimit europian për Shqipërinë. Ajo theksoi se përafrimi i Fakultetit të Mjekësisë Veterinare me standardet e EAEVE përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt garantimit të cilësisë në arsimin veterinar.


Konferenca vijoi me dy sesione paralele shkencore, ku studiues nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të Europës prezantuan punime në fushat e shkencave të jetës, bujqësisë, sigurisë ushqimore, mjedisit, zhvillimit rural, inovacionit dhe politikave europiane.


Prof. Aida Bani prezantoi zgjidhje të bazuara në natyrë për reduktimin e transferimit të nikelit tek kulturat bujqësore, ndërsa Prof. Elvin Toromani trajtoi restaurimin e tokave në pellgun e Drinit përmes “Nature-Based Solutions”. Nga Universiteti i Milanos, Prof. Giulio Senes foli mbi rolin e arkitekturës së peizazhit në universitetet e shkencave të jetës, ndërsa studiues të tjerë prezantuan tema që lidhen me bujqësinë precize, sigurinë ushqimore, ndryshimet klimatike, cilësinë e ujërave dhe teknologjitë digjitale në sektorin agro-ushqimor.


Dita e dytë e konferencës u mbyll me sesionin e posterave shkencorë, ku pjesëmarrës nga universitete dhe institucione të ndryshme prezantuan studimet dhe kërkimet e tyre në fusha që lidhen me bujqësinë, mjedisin, sigurinë ushqimore, zhvillimin rural dhe inovacionin.