Skip to Content

Ceremonia e Shpërndarjes së Çertifikatave të Titujve Akademikë “Profesor” dhe “Profesor i Asociuar” në UBT

Universiteti Bujqësor i Tiranës organizoi Ceremoninë e Shpërndarjes së Çertifikatave të Titujve Akademikë “Profesor” dhe “Profesor i asociuar”, për periudhën 2024–2025, duke shënuar një moment të rëndësishëm për jetën akademike dhe shkencore të institucionit.


Ceremonia u hap me fjalët përshëndetëse të Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, zv/Rektores për Shkencën dhe Projektet, Prof. Dr. Erinda Lika, si dhe Kryetarit të Komisionit të Promovimit të Personelit Akademik (KPPA), Prof. Dr. Vath Tabaku. Në fjalimet e tyre, u vlerësua rëndësia e këtij procesi si një dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm të UBT-së për promovimin e ekselencës akademike, rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Gjithashtu, u theksua bashkëpunimi me institucione të tjera të arsimit të lartë, si një kontribut i drejtpërdrejtë për forcimin e sistemit universitar në vend.


Pas fjalëve përshëndetëse, u bë shpërndarja e çertifikatave për titujt akademikë, ku 6 anëtarë të personelit akademik morën titullin “Profesor” dhe 19 të tjerë me titullin “Profesor i asociuar”, si rezultat i përmbushjes me sukses të kritereve akademike dhe shkencore të përcaktuara.


Të pranishëm ishin anëtarët e Senatit Akademik të UBT-së, anëtarët e KPPA-së, drejtues të fakulteteve dhe departamenteve, si dhe të ftuar të tjerë, të cilët ndanë këtë moment të rëndësishëm me përfituesit e titujve akademikë.


Universiteti Bujqësor i Tiranës uron akademikët për titujt “Profesor” dhe “Profesor i asociuar”, duke i inkurajuar të vijojnë kontributin e tyre në kërkimin shkencor dhe formimin e brezave të rinj të profesionistëve.