Skip to Content

Ceremonia e diplomimit, 1500 studentë diplomohen në UBT mes emocionesh dhe frymëzimi për të ardhmen

Kënaqësi dhe krenari e madhe për Universitetin Bujqësor të Tiranës ishte ceremonia e diplomimit të këtij viti, ku mbi 1500 studentë përmbyllën me sukses një etapë të rëndësishme të formimit të tyre akademik dhe hodhën hapat e parë drejt sfidave të reja profesionale.

Në një atmosferë të veçantë, të mbushur me emocione dhe energji pozitive, të pranishëm ishin studentët, prindërit dhe të afërmit e tyre, duke e kthyer këtë ditë në një festë të përbashkët suksesi. Në çdo cep të amfiteatrit të universitetit ndiheshin emocionet e një rrugëtimi të gjatë, ndërsa buzëqeshjet dhe lotët e gëzimit ndërthureshin natyrshëm. Momente prekëse nuk munguan, pasi disa prej studentëve kishin marrë me vete edhe fëmijët e tyre, duke e bërë këtë arritje jo vetëm personale, por edhe familjare.

Kjo ceremoni u nderua nga prania e Znj. Mirela Kumbaro, Ministre e Arsimit, dhe Z. Andis Salla, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, të cilët me pjesëmarrjen e tyre i dhanë një rëndësi të veçantë këtij momenti për komunitetin universitar. Në fjalët e tyre përshëndetëse, ata vlerësuan rolin e arsimit të lartë dhe të UBT-së në zhvillimin e vendit, duke inkurajuar të diplomuarit që të kontribuojnë me dije, profesionalizëm dhe përkushtim në sektorët strategjikë të ekonomisë.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë e këtij momenti për studentët dhe për vetë universitetin, duke nënvizuar se të diplomuarit e sotëm janë një aset i çmuar për të ardhmen e vendit dhe një reflektim i cilësisë së arsimit që ofron UBT.

Një mesazh frymëzues përcolli sipërmarrësi i njohur Altin Prenga, alumni i UBT-së dhe themelues i Mrizi i Zanave, i cili i inkurajoi studentët të bëhen “influencerë të bujqësisë”, duke promovuar vlerat e tokës dhe potencialin e sektorit në mënyrë moderne dhe inovative.

Një dimension artistik dhe festiv i shtoi gjallëri ceremonisë përmes performancës së studentit Ibrahim Rustemaj së bashku me Ansamblin e Shkollës “Qemal Stafa”, të cilët interpretuan valle popullore, duke sjellë në skenë ritmet dhe traditat shqiptare dhe duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe entuziaste.

Ceremonia u shënua edhe nga vlerësimi i me certifikatë mirënjohje për 12 studentë, të cilët u nderuan për arritjet e tyre të larta, duke u kthyer në modele frymëzimi për të gjithë komunitetin studentor.

Një nga momentet më të shumëpritura të ceremonisë ishte shpërndarja e diplomave për të gjithë të pranishmit, e organizuar sipas fakulteteve. Ky akt simbolik përfaqësonte kulmin e një rrugëtimi të gjatë studimi dhe përkushtimi, duke kurorëzuar punën dhe sakrificat e çdo studenti me marrjen e diplomës.

Në përmbyllje, momenti simbolik i hedhjes së kapelave në ajër solli një shpërthim emocionesh dhe gëzimi, duke vulosur një ditë të paharrueshme për UBT-në dhe për mbi 1500 të diplomuarit, të cilët tashmë nisin një rrugëtim të ri drejt së ardhmes.