Në një atmosferë festive dhe në një sallë me afro 300 të pranishëm, Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe shkolla e mesme “J. F. Kennedy” organizuan një koncert të përbashkët me rastin e festave të 7 dhe 8 Marsit, duke sjellë në skenë talentin dhe energjinë e studentëve dhe maturantëve.
Koncerti u mbajt në ambientet e UBT dhe nisi në mënyrë simbolike me interpretimin e një valleje tradicionale, e cila çeli siparin e një feste të veçantë dhe të paharrueshme.
Tingujt e violinës, kitarës dhe çiftelisë, i dhanë shfaqjes një atmosferë të ngrohtë dhe festive. Skena u pasurua edhe me interpretime poetike, këngë dhe kërcime tradicionale nga zona të ndryshme të Shqipërisë, duke sjellë një mozaik të bukur të kulturës dhe traditës shqiptare për publikun e pranishëm.
Të rinjtë e talentuar të UBT dhe J.F.Kennedy patën mundësinë që të tregonin talentet e tyre shumë-dimensionale, disa prej tyre duke u ngjitur për herë të parë në një skenë me kaq shumë të pranishëm.
Publikun e përshëndeti Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, i cili u shpreh se asnjëherë më parë nuk e kishte parë sallën më të bukur, duke theksuar se këto iniciativa jo vetëm që promovojnë kulturën dhe artin, por edhe afrojnë më shumë të rinjtë me jetën universitare.
Gjithashtu, koncertin e përshëndeti edhe drejtori i shkollës “J. F. Kennedy”, Albert Prifti, i cili vlerësoi bashkëpunimin me Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe theksoi rëndësinë e aktiviteteve që krijojnë hapësira për talentin dhe kreativitetin e të rinjve.
Koncerti festiv u prit me shumë duartrokitje nga publiku dhe u shndërrua në një moment të bukur bashkëpunimi, arti dhe feste për komunitetin universitar dhe nxënësit e shkollës së mesme.
Festa e mësuesit dhe e grave u kremtua si asnjëherë më parë në UBT, shfaqje kjo e cila do të mbahet mend gjatë dhe do të pasohet me të tjera evente të cilat bashkojnë të rinjtë në Universitetin Bujqësor të Tiranës.















