Në përmbyllje të analizës vjetore për vitin 2025, Universiteti Bujqësor i Tiranës zhvilloi Mbledhjen e Senatit, ku grupet e punës prezantuan arritjet kryesore të institucionit, sfidat e evidentuara si dhe prioritetet për vitin e ardhshëm.
Një fokus i veçantë i këtij takimi ishte bashkëpunimi strategjik i UBT-së me Universitetin BOKU të Vjenës, i cili po shërben si një shtyllë kyçe në procesin e reformimit dhe ndërkombëtarizimit të institucionit. Gjatë analizës u theksuan reformat e ndërmarra nga UBT në mësimdhënie, dhe kërkimin shkencor, të zhvilluara në harmoni me standardet dhe praktikat më të mira të aplikuara nga BOKU.
Ky partneritet ka kontribuar drejtpërdrejt në rishikimin e programeve ekzistuese dhe në hartimin e programeve të reja Master, të cilat pritet të ofrohen nga viti akademik 2026, duke reflektuar nevojat e tregut të punës dhe qasjen bashkëkohore evropiane në arsimin e lartë.
Raportet e paraqitura nga grupet e punës përfshinë gjithashtu rekomandime konkrete për përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë në universitet, forcimin e kërkimit shkencor dhe zgjerimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare, me BOKU-n si partner strategjik kryesor.
Zëvendësrektorët prezantuan në mënyrë të detajuar reformat në mësimdhënie, zhvillimin e kërkimit shkencor, promovimin institucional dhe forcimin e marrëdhënieve me institucionet vendase dhe ndërkombëtare, si dhe u paraqit analiza financiare, duke theksuar qëndrueshmërinë dhe përdorimin efikas të burimeve në funksion të reformave të nisura.
Edhe njëherë u rikonfirmua fokusi kryesor i UBT-së, studentët dhe oferta studimore për ta. Përmes bashkëpunimit me BOKU, UBT synon të ofrojë programe studimi cilësore, përvoja akademike ndërkombëtare dhe mundësi të reja zhvillimi profesional, duke e pozicionuar universitetin si një institucion modern, konkurrues dhe të orientuar drejt së ardhmes.








