Universiteti Bujqësor i Tiranës nënshkroi një Memorandum Bashkëpunimi në kuadër të nismës veterinare të shëndetit publik “Safe Paws Albania”, një nismë e disa institucioneve dhe organizatave, që synon mirëqenien e kafshëve dhe forcimin e shëndetit publik përmes ndërhyrjeve veterinare të koordinuara.
Nënshkrimi i parapriu një takimi kooedinues që u mbajt në ambientet e Rektoratit të UBT-së me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga institucione kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë AKVMB, UPMVSH, Bashkinë Tiranë, Bashkinë Tropojë, Fakultetin e Mjekësisë Veterinare të UBT-së, organizatën World Vets, SDI dhe Jahangiri Foundation.
Rektori i UBT-së Prof.Dr. Fatbardh Sallaku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional në adresimin e çështjeve që lidhen me shëndetin publik veterinar dhe menaxhimin e popullatave të kafshëve në vend. Ndërsa përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave adresuan në lidhje me iniciativën dhe metodat operacionale që do të ndiqen për zbatimin e saj.
Fushata “Safe Paws Albania”, e cila do të zhvillohet në Tropojë gjatë periudhës 13–20 qershor synon trajtimin veterinar të rreth 150–300 kafshëve të rrugës (qen dhe mace) përmes shërbimeve profesionale dhe ndërhyrjeve të specializuara. Palët konfirmuan rolet dhe përgjegjësitë përkatëse sipas Memorandumit dhe afatet kryesore për përgatitjen e aktivitetit në terren.
Nisma “Safe Paws Albania” përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të rolit të Universitetit Bujqësor të Tiranës në projekte me ndikim social dhe shëndetësor, duke lidhur ekspertizën akademike me nevojat konkrete të komunitetit dhe zhvillimin e praktikave moderne veterinare në Shqipëri.












