Universiteti Bujqësor i Tiranës, me mbështetjen e AKKSHI-t, përmbylli me sukses një projekt kërkimor, i cili analizon në mënyrë gjithëpërfshirëse ndikimin e Skemave Kombëtare të mbështetjes në Bujqësi dhe Agro-përpunim gjatë periudhës 2018–2024. Studimi bën një vlerësim mbi efektivitetin e subvencioneve bujqësore dhe rolin e tyre në zhvillimin rural të vendit.
Në vijim të projektit, të koordinuar nga Dr. Merita Gecaj, u organizua këtë mërkurë në ambientet e UBT-së, Workshop-i Kombëtar me pjesëmarrjen e institucioneve publike, akademikëve, studentëve dhe ekspertëve të fushës.
Diskutimet u fokusuan në sfidat dhe prioritetet e zhvillimit rural, rolin e skemave kombëtare në rritjen e produktivitetit, modernizimin e proceseve administrative, forcimin e kapaciteteve sipas standardeve europiane dhe prezantimin e rezultateve paraprake të analizave të kryera në terren përmes pyetësorëve.
Ky ndërveprim profesional jo vetëm pasuroi kuadrin analitik të projektit, por solli perspektiva të reja për mënyrën se si mbështetja shtetërore mund të përmirësohet në të ardhmen.
Skemat kombëtare të mbështetjes, të nisura në vitin 2007 dhe të zgjeruara ndjeshëm pas vitit 2012, janë sot një instrument i rëndësishëm në procesin e përafrimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian, sidomos në kuadër të Kapitullit 11 dhe Strategjisë Kombëtare për Bujqësinë, Sigurinë Ushqimore dhe Bioteknologjinë.
Me përfundimin e projektit, UBT dhe AKKSHI dorëzojnë një analizë të thelluar mbi ndikimin direkt dhe indirekt të subvencioneve të viteve të fundit, duke ofruar rekomandime konkrete për përmirësimin e politikave, rritjen e efektivitetit të mbështetjes dhe orientimin drejt modeleve më të qëndrueshme të zhvillimit rural.
Rezultatet e studimit pritet të shërbejnë si udhërrëfyes për vendimmarrësit, institucionet, ekspertët dhe fermerët.




