Skip to Content

UBT pajiset me sistemin “Abencor”, laborator modern për studimin e vajit të ullirit

Studentët e Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit në Universitetin Bujqësor të Tiranës do të kenë tashmë mundësinë të eksperimentojnë praktikisht procesin e prodhimit të vajit të ullirit, falë vendosjes në funksion të pajisjes laboratorike “Abencor”, sistemit të parë të këtij lloji në Shqipëri.

Kjo pajisje është blerë falë projektit PIKSH, e financuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, dhe është pjesë e nismës për ngritjen e Laboratorit të Vajit të Ullirit dhe Vajrave Vegjetalë në UBT.

Sistemi “Abencor” kryen në shkallë të vogël procesin industrial të prodhimit të vajit të ullirit dhe përbëhet nga tre njësi kryesore:

• Përzierësi, ku përgatitet dhe ngrohet pasta e ullirit në kushte të kontrolluara;

• Centrifuga, që ndan vajin nga uji dhe pjesët e ngurta;

• Njësia e filtrimit, që siguron pastërtinë dhe cilësinë përfundimtare të vajit.

Falë këtij sistemi, studentët dhe stafi kërkimor do të mund të studiojnë faktorët që ndikojnë në cilësinë e vajit të ullirit, të testojnë metoda të ndryshme përpunimi dhe të analizojnë produktin përfundimtar, i cili i përket kategorisë “extra të virgjër”, klasifikimi më i lartë sipas standardeve ndërkombëtare.

Vendosja në punë e sistemit “Abencor” përfaqëson një hap të rëndësishëm në avancimin e kërkimit dhe inovacionit në fushën agro-ushqimore, duke e bërë UBT-në institucionin e parë në vend që disponon këtë teknologji moderne për qëllime studimore dhe praktike.