Në aktivitetin përmbyllës të Skemës Kombëtare të Trajnimit në Bujqësi 2022–2025, të organizuar për fermerët, eksportuesit, përpunuesit dhe ekspertët e sektorit bujqësor, që u mbajt në qytetin e Elbasanit, u prezantuan arritjet kryesore të këtij programi dhe mundësitë e reja të mbështetjes për zhvillimin rural.
Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e modernizimit dhe rritjes së konkurrencës së bujqësisë shqiptare, duke inkurajuar fermerët dhe aktorët e sektorit të shfrytëzojnë instrumentet e mbështetjes kombëtare dhe strategjitë për një bujqësi të qëndrueshme drejt 2030-s.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, vlerësoi interesin e lartë të fermerëve për pjesëmarrje në skema mbështetëse dhe nënvizoi angazhimin e qeverisë për transparencë dhe ndihmë reale për sektorin, duke theksuar rëndësinë e planeve të investimit dhe rritjes së kapaciteteve lokale.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, në fjalën e tij përshëndetëse, ftoi të rinjtë të përfshihen në ndryshimin që ka nisur UBT drejt Shqipërisë së viteve 2030, duke shërbyer si nxitës të inovacionit, dijes dhe zhvillimit të qëndrueshëm të komuniteteve rurale.
Ky aktivitet përmbyllës shënoi edhe një hap drejt forcimit të lidhjes mes arsimit profesional, kërkimit dhe praktikës në terren për një sektor bujqësor më të fortë dhe konkurrues.









