Skip to Content

UBT dhe Universiteti Aldo Moro: Cikël leksionesh për projektin “HEALTH CONNECT”

Në kuadër të projektit “HEALTH CONNECT”,  në Departamentin e Shëndetit Publik Veterinar në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare të UBT-së u zhvillua një cikël leksionesh të hapura për studentët, në bashkëpunim me Universitetin Aldo Moro, Bari, Itali.

Studentët e kursit të pestë ndoqën leksionet e profesoreshave Elisabetta Bonerba dhe Valentina Terio mbi sigurinë ushqimore, vlerësimin e rrezikut dhe monitorimin e ndotësve në ushqim. Ndërsa studentët e kursit të tretë morën pjesë në leksionin e profesoreshave Maria Tempesta dhe Grazia Greco mbi sëmundjet zoonotike dhe legjislacionin e BE-së në fushën e sëmundjeve infektive.

Vizita përfshiu takime me Rektorin e UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, Zëvendës Rektoren për Projektet Shkencore dhe Inovacionin, Prof. Dr. Erinda Lika, dhe Dekanin e FMV, Prof. Dr. Rezart Postoli, ku u diskutua bashkëpunimi në projekte Erasmus+, kërkim shkencor dhe u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi për shkollën e doktoraturës mes dy palëve.

Si rezultat i këtij partneriteti, doktorantët e FMV-së do të kenë mundësinë që aktivitetet e tyre kërkimore të zhvillohen edhe në laboratorët dhe klinikat e Departamentit të Mjekësisë Veterinare në Bari, duke zgjeruar përvojën praktike dhe shkencore ndërkombëtare.

Ky aktivitet forcon partneritetin ndërkombëtar dhe nxit shkëmbimin e njohurive dhe përvojës midis studentëve, doktorantëve dhe stafit akademik të të dy institucioneve.