Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, përshëndeti punimet e Forumit të 3-të Kombëtar për Cilësinë dhe Standardet dhe të Kongresit të 5-të të Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH).
Në fjalën e tij, Rektori theksoi se cilësia është elementi themelor i identitetit dhe zhvillimit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, duke vlerësuar partneritetin me UNIDO (Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Industrial) në forcimin e sistemit të standardeve dhe edukimit profesional në vend.
“Cilësia është karta jonë e identitetit. UBT është krenar që është pjesë e këtij forumi si partner me UNIDO, me të cilin ndodhemi në fazën përfundimtare të dizajnimit të një programi Master për Cilësi dhe Standarde. Ky program do të jetë një hap i rëndësishëm për përgatitjen e specialistëve që do të udhëheqin sektorin e cilësisë në Shqipëri. Universiteti Bujqësor i Tiranës është një laborator i dijes dhe zhvillimit që kontribuon në sektorin privat. Cilësia shqiptare është marka jonë e suksesit,” — u shpreh Prof. Dr. Sallaku.
Në vijim, Rektori foli për gatishmërinë e UBT-së për të qenë një partner aktiv dhe i besueshëm në procesin e modernizimit të sektorit agroushqimor të vendit, duke e konsideruar universitetin si një burim të qëndrueshëm dijesh, inovacioni dhe bashkëpunimi ndërinstitucional.
Forumi mblodhi përfaqësues nga biznesi, institucionet publike dhe organizatat ndërkombëtare, të cilët diskutuan mbi përmirësimin e sistemit kombëtar të cilësisë dhe standardeve në përputhje me praktikat më të mira të Bashkimit Evropian.


