Skip to Content

Bashkëpunimi akademik pas ICOALS 5: Dr. Balomenou, leksion të hapur me studentët e UBT-së

 Konferenca ndërkombëtare ICOALS 5, e zhvilluar së fundmi në Universitetin Bujqësor të Tiranës, shërbeu edhe si një urë e rëndësishme komunikimi ndërmjet pedagogëve pjesëmarrës nga institucione të ndryshme akademike. Pedagogët e Departamentit të Financë-Kontabilitetit të Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit patën rastin të ndajnë të njëjtin sesion prezantimesh me Dr. Chrysanthi Balomenou, një bashkëpunim i cili çoi natyrshëm në ftesën për një leksion të hapur në auditorët e UBT-së. 

Dr. Chrysanthi Balomenou, pedagoge dhe studiuese me profil të spikatur ndërkombëtar referoi në një leksion të hapur me studentët e Masterit Shkencor të Departamentit të Financë-Kontabilitetit. Tema e trajtuar – "Post crises periods and learned lessons: The role of European Banking Union (EBU)" krijoi hapësirë për diskutime të thelluara me studentët.

Studentët bënë pyetje logjike, treguan zotërim të njohurive financiare dhe bankare, treguan interes për zhvillimet aktuale të Bankës Qendrore Europiane duke nxjerrë edhe mësime për vendin tonë në kuadrin e integrimit të vendit në BE. Dr. Chrysanthi Balomenou vjen nga një përvojë e pasur profesionale, për 32 vite në Bankën Kombëtare të Greqisë, ku ka shërbyer edhe si Marketing Analyst Manager dhe trajnere në Divizionin e Burimeve Njerëzore. 

UBT vijon të angazhohet për të sjellë në auditorë akademikë të njohur nga rajoni dhe më gjerë, duke forcuar gjithnjë e më shumë dimensionin ndërkombëtar të programeve të studimit.