Në Universitetin Bujqësor të Tiranës u mbajt një ceremoni mirënjohje me rastin e daljes në pension të Prof. Dr. Vjollca Ibro, pedagoge dhe kërkuese shkencore me mbi 45 vite përvojë dhe një kontribut të çmuar në universitet.
Rektori Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, Dekani Prof. Dr. Seit Shallari, kolegë, bashkëpunëtorë dhe miq nderuan dhe vlerësuan rolin e saj shumëvjeçar në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe drejtim akademik.
Gjatë fjalës së saj, Prof. Dr. Ibro theksoi se UBT ka qenë “dy të tretat e jetës së saj”, një vend ku ka gjetur njerëz të ditur, bashkëpunëtorë të përkushtuar dhe një komunitet që e ka mbështetur në çdo hap të karrierës. Ajo u shpreh mirënjohëse për bashkëpunimin me drejtuesit, kolegët dhe studentët, duke e cilësuar punën në arsim dhe kërkim si një privilegj të madh.
Prof. Ibro rikujtoi se ka kaluar nëpër dy sisteme universitare – para dhe pas viteve ’90 – duke u përballur me sfida dhe ndryshime, por gjithmonë me profesionalizëm dhe integritet. Kontributi i saj ka përfshirë mësimdhënie, botime universitare, kërkim laboratorik dhe punë eksperimentale, duke formuar qindra studentë, përfshirë edhe drejtues të sotëm të UBT-së.
Duke u ndalur te zhvillimet e fundit në universitet, Prof. Ibro theksoi se UBT po hyn në një fazë të rëndësishme, veçanërisht përmes bashkëpunimeve me Universitetin BOKU të Vjenës dhe përafrimit të programeve të studimit me standardet europiane. Ajo u shpreh krenare dhe e lumtur për drejtimin që ka marrë institucioni.
Prof. Dr. Vjollca Ibro ka shërbyer si Rektore e UBT-së, Zëvendësministre e Bujqësisë dhe pedagoge e përkushtuar, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në institucion.
UBT i shpreh mirënjohjen e thellë Prof. Dr. Vjollca Ibros për kontributin e saj të vlefshëm akademik dhe institucional.
