Skip to Content

UDHËZIM PËR KZF-të

UDHËZIM PËR KZF-të

Mbështetur në Ligjin “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, neni 36, 37 dhe 46:  Statutin e UBT-së, nei 14, pika 4, neni 18/1 dhe neni 21; dhe Rregulloren ”Për organizimin e zgjedhjeve për autoritetet dhe organet drejtuese në UBT”; pas marrjes së Urdhërit Nr.30, datë 7/10/2025, të Rektorit të UBT-së për zgjedhjen e Komisioneve të përhershme për dhënien e gradës shkencore “Doktor”, pranë njësive kryesore të UBT-së dhe zgjedhjen e një anëtari të Senatit Akademik, përfaqësues i studentëve, që i përket Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit, lidhur me fushatën zgjedhore, Komisioni Institucional Zgjedhor (KIZ) udhëzon KZF-të që:

1.      Të afishojnë në vende të dukshme dhe në faqen elektronike (ëebsite) e UBT-së/Fakultetit, ditën e fillimit të procesit zgjedhor (10 Tetor 2025) dhe datën e zgjedhjeve (10 Nentor 2025) për ngritjen e komisioneve të përhershme për gradën shkencore “Doktor” pranë fakulteteve respektive dhe përfaqësuesin e studentëve të Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit në Senatin Akademik të UBT-së.

2.      KZF-të duhet të shpallin periudhën e regjistrimit të kandidatëve (neni 18, pika 1 dhe neni 18, pika 3 e Rregullores së Zgjedhjeve). Referuar përcaktimeve kohore në Rregullore udhëzojmë që periudha e regjistrimit të kandidatëve të jetë nga data 13.10.2025 deri në datë 17.10.2025, ora 16:00.

3.      Procesi i regjistrimit të kandidatëve për autoritetet dhe organet drejtuese në UBT fillon ditën e shpalljes nga komisioni zgjedhor përkatës (KZF-të) dhe përfundon në orën 16.00 të ditës së pestë kalendarike (neni 18, pika 1 e Rregullores së Zgjedhjeve).

4.      Në procesin e regjistrimit të kandidatëve duhet të respektohen me përpikmëri kërkesat e Rregullores për regjistrimin e kandidatëve (neni 18 i Rregullores “Regjistrimi i kandidateve”; neni 23 “Kriteret për Anëtarët e Komisioneve të Përhershme të Njësive Kryesore/Senatit në UBT-së” dhe neni 25, pika 1 e Rregullores “Dokumentacioni për Kandidim”), ku duhet të bëhet kujdes me respektimin e nenit 25, pika 1, gërma g).

5.      Numri i vendeve për anëtarë të komisioneve të përhershme të njësive kryesore përcaktohen nga Senati Akademik në përputhje me përcaktimet e statutit të UBT-së, por jo më pak se pesë anëtarë për seicilin komision.

Referuar këtyre përcaktimeve (neni 18/1 “Statuti i UBT-së”; neni 23, pika 2 e Rregullores së Zgjedhjeve dhe neni 19, pika 1 dhe 2 e Rregullores për “Organizimin e Programeve të Studimeve të Doktoratës në UBT”, e cila përcakton që:

Komisioni i përhershëm për dhënien e gradës shkencore “Doktor” ngrihet në nivel njësie kryesore dhe është organ kolegjial përgjegjës për mbikqyrjen e procesit të dhënies së gradës shkencore “Doktor” në përputhje me kuadrin ligjor dhe këtë Rregullore.

Komisioni përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë, të cilët zgjidhen me vetkandidim nga radhët e Asamblesë së Personelit Akademik të njësisë kryesore. Të gjithë anëtarët duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:

​a)      të kenë titullin akademik “Profesor” ose “Profesor i Asociuar”,

​b)     të kenë të paktën 5 (pesë) vite përvojë pune me kohë të plotë si personel akademik pranë UBT-së.

6.      KZF e Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit, në bashkëpunim me KIZ, të organizojë procesin zgjedhor për anëtarin e Senatit Akademik (kategoria student) regjistrimi i të cilit, referuar nenit 18, pika 2 e Rregullores së Zgjedhjeve, bëhet pranë KIZ, ndërsa në votim merr pjesë asambleja e gjithë studentëve të UBT-së.

Për këtë KZF-të, përveç ngritjes së Komisioneve respektive të KGSHD, duhet të angazhohen dhe në procesin e votimit të studentëve të Fakulteteve respektive, të cilët marrin pjesë në votime për zgjedhjen e anëtarit të Senatit (student) nga FBU.

7.      Në respektim të kuadrit ligjor;  të Urdhërit të Rektorit të UBT-së, Nr.30, datë  datë 7/10/2025 dhe të Rregullores ”Për organizimin e zgjedhjeve për autoritetet dhe organet drejtuese në UBT”, miratuar me Vendimin Nr. 07, datë 18.04.2024 të Senatit Akademik të UBT-së, udhëzojmë KZF-të të marrin të gjitha masat e nevojshme për realizimin e procesit zgjedhor dhe zgjedhjeve të Komisioneve të përhershme për dhënien e gradës shkencore “Doktor”, pranë njësive kryesore të UBT-së dhe zgjedhjen e një anëtari të Senatit Akademik, përfaqësues i studentëve, që i përket Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit.

8. ​​Pas verifikimit të dokumentacionit, KZF, jo më vonë se 48 orë nga përfundimi i afatit të paraqitjes së kërkesave për kandidim, miraton listën e kandidatëve për komisionet e përhershme.

9. ​Një kopje e listave të miratuara nga KZF-të për anëtarë të Komisioneve të përhershme për dhënien e gradës shkencore “Doktor” sipas fakulteteve respektive i dërgohet KIZ me qëllim përgatitjen e fletëve të votimit.

10. ​Regjistrimi dhe lista e miratuar e kandidatëve anëtar i Senatit Akademik, përfaqësues i studentëve nga FBU bëhet nga KIZ.

11. ​Listat duhet të shpallen publikisht në mjediset e të gjithë njësive kryesore të UBT-së (këndet zgjedhore), si dhe në faqen zyrtare elektronike të UBT-së / Fakulteteve.

UDHEZIM PER KZF-TE