Përfaqësues të Albanian-American Development Foundation (AADF) zhvilluan të enjten më 15 janar, një sesion informues në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT) me stafin akademik dhe doktorantët, për të prezantuar programin READ – Research Expertise from the Academic Diaspora.
Duke sjellë ekspertizën shkencore shqiptare nga universitetet dhe institutet kërkimore më të njohura ndërkombëtare drejt auditorëve dhe laboratorëve në Shqipëri, programi READ, tani në vitin e pestë, po krijon një urë të re bashkëpunimi mes diasporës akademike dhe arsimit të lartë vendas.
Në kohortat e mëparshme të programit READ, Universiteti Bujqësor i Tiranës ka përfituar në disa fusha të rëndësishme, si bujqësia, blegtoria, siguria ushqimore, sjellja konsumatore, si dhe disiplina të tjera të lidhura me zhvillimin e qëndrueshëm dhe kërkimin shkencor, duke realizuar projekte të cilat u vlerësuan për cilësinë dhe ndikimin e tyre.
Ky program ka për qëllim të lidhë institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri me diasporën shkencore shqiptare dhe institutet akademike ku ajo vepron, duke krijuar ura bashkëpunimi në fushën e kërkimit shkencor. Përmes programit READ, akademikë dhe studiues nga diaspora përfshihen në një skemë fellowship-i, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e kërkimit shkencor, forcimin e kapaciteteve akademike dhe përmirësimin e cilësisë së projekteve kërkimore në Shqipëri.




