Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

Zhvillimi Rural dhe Fuqizimi i Sipërmarrjeve ka nevojë për profesionistë të rinj

Takimi midis stafit të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe përfaqësuesve të FED invest në kuadër të konkursit të Studentëve FED invest_UBT 2021 me titull:

“Zhvillimi Rural dhe Fuqizimi i Sipërmarrjeve ka nevojë për profesionistë të rinj”

Ditën e mërkurë, datë 7 Prill 2021 u zhvillua online takimi i parë midis stafit akademik të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) dhe përfaqësuesve të FED invest, në kuadër të projektit të zhvillimit të një konkursi për studentët e UBT me temë “Zhvillimi Rural dhe Fuqizimi i Sipërmarrjeve ka nevojë për profesionistë të rinj”.
Ky konkurs është një inisiativë midis dy institucioneve, për të nxitur dhe promovuar mendimin kreativ dhe profesional të studentëve në fushën e sipërmarrjeve dhe zhvillimit rural.
Në fjalën hyrëse drejtori Ekzekutiv i FED invest z. Perlat Sulaj tha se kjo inisiativë është një përpjekje për t’u përshendetur me qëllim plotësimin e dimensionit jo vetëm financiar që FED invest ka ndërmarrë përmes qendrës Agro-Biznes-Asistance (ABA).
Në prezantimin e tij, Dekani i Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit Prof. Dr. Remzi Keco theksoi se ky aktivitet është një mundësi shumë e mirë për rritjen e hapësirës për kërkuesit për informacion dhe ekspertizë, për studentët për njohje praktike dhe krijimin e një sinergjie mes institucioneve.

Përfaqësuesi i qendrës ABA Z. Behar Gjoni vuri në dukje se ABA është një qendër fizike dhe dixhitale e cila synon të krijojë një njësi për shpërndarjen e njohurive dhe praktikave për fermerët, promovimin e praktikave më të mira, edukimin financiar, lehtësimin e krijimit të zinxhirit të vlerave në bujqësi, krijimin e kontakteve mes aktorëve në fushën e bujqësisë e informacionit në lidhje me skemat subvencionuese.

Ky aktivitet vjen si nevojë e krijimit të një marrëdhënijeje të re midis të gjithë aktorëve të zhvillimit bujqësor, aktivizimit të profesionistëve të rinj, zhvillimit të aftësive, njohurive dhe kapaciteteve të kapitalit human; rritjes së bashkëpunimit të të gjithë aktorëve në sistem akademi/organizata biznese/organizata financiare/organizata publike, aplikimit të teknikave,teknologjive te reja dhe risive, demonstrimit dhe transferimit të njohurive tek biznesi dhe fermerët, financimi dhe mbështetja e zonave rurale.
Ky konkurs, i pari i këtij lloji dhe dimensioni në vend, do të kalojë në disa faza:
1. Shprehja e interesit për pjesëmarrje nga studentët;
2. Kualifikimi paraprak;
3. Mentorimi dhe zhvillimi i ideve dhe projekteve me profesoratin e UBT;
4. Kualifikimi final dhe shpallja e fituesve.
Në përfundim të konkursit, fituesit do të shpërblehen me 10 cmime:
 Çmimi i parë: 1 laptop (ekuivalent deri në masën 700 euro) – 1 çmim
 Çmimi i dytë, 1 smartphone (ekuivalent deri në 500 euro çmimi) – 3 çmime
 Çmimi i tretë, 1 tablet (ekuivalent deri në 300 euro çmimi) – 3 çmime
 Çmimi i karrierës dhe internship-it (praktike e kontraktuar dhe mundësi punësimi për çdo çmim) – 5 çmime.