Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

UBT zgjeron fushat e bashkëpunimit. Nënshkruan marëveshje me Universitetin e Gjilanit.

Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe Universiteti “Kadri Zeka’’ në Gjilan firmosën më 18.3.2021 një marrëveshje bashkëpunimi mes tyre. Nëpërmjet marrëveshjes palët u dakordësuan në përcaktimin e fushave dhe gjetjen e mënyrave të bashkëpunimit, hapësira dhe projekte të cilat mund të kontribuojnë në të mirë të dy universiteteve shqiptare për të rritur cilësinë e mësimdhënies, për të shtuar numrin e studentëve, për të shkëmbyer eksperienca profesionale e të tjera. Marëveshja u nënshkrua në ambientet e UBT-së nga Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku dhe homologu i tij nga Kosova, Prof. Dr. Bajram Kosumi. Delegacioni kosovar përfaqësohej në këtë takim miqësor edhe nga Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka (Pro/rektor për bashkëpunim ndërkombëtar) dhe MSc. Ibrahim Kosumi (kryesues i këshillit drejtues të universitetit “Kadri Zeka”). Ndërkaq Rektori Sallaku shoqërohej nga zv/rektorja për shkencën dhe projektet në UBT, Prof. Asoc.Dr. Erinda Lika, zv/rektori për mësimin po në UBT, Prof. Asoc. Dr. Ilir Kapaj, dekani i fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Prof. Dr. Remzi Keco dhe administratori Edmond Tërthorja (UBT).

Të dy institucionet e arsimit të lartë nëpërmjet përfaqësuesve të tyre shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar në të ardhmen, veçanërisht në fushat apo sektorët e ngjashëm siç është ai ekonomik. Identifikimi i nismave për promovimin dhe mbështetjen profesionale në zhvillimin e përgjithshëm edukativ të dy universiteteve është gjithashtu një ndër qëllimet e marëveshjes për të vijuar me rekomandimet dhe ekspertizat profesionale të cilat sipas nënshkruesve të marrëveshjes janë shumë të nevojshme.

Shkëmbimi i eksperiencave mësimdhënëse, shkëmbim eksperiencash në punë kërkimore dhe shkencore apo edhe të sudentëve, realizimi dhe mbështetja e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe formuese, shkëmbimi i literaturës shkencore apo ndihma respektive lidhur me menaxhimin institucional, janë disa nga fushat e diskutuara për bashkëpunim dypalësh.

Rektorët njohën njëri-tjetrin me ecurinë e deritanishme të universiteteve përkatëse, me sukseset dhe problematikat që shfaq secili prej tyre. Prof. Sallaku përmendi faktin se Universiteti Bujqësor i Tiranës është më i vjetri në Shqipëri, themeluar prej gati 70 vjetësh tashmë dhe unik në programet e studimit që ofron dhe si i tillë ofron kapacitete të mëdha akademike dhe jo vetëm. Një element shumë i rëndësishëm i këtij IAL sipas Prof. Sallakut është ndër të tjera edhe shërbimi për të tretët, duke përfshirë këtu konsulenca të ndryshme, shërbime laboratorike e një sërë aktivitetesh të tjera. Edhe Prof. Kosumi ndërsa falenderoi UBT për mikpritjen dhe këtë takim, u paraqiti të pranishmëve një panoramë detajuese në lidhje me universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan. Edhe pse një universitet i themeluar vetëm prej pak vitesh (2013), Prof. Kosumi tha se ai renditet si një ndër IAL-të më të mirë në Kosovë, të paktën sipas raportit të ekspertëve ndërkombëtare. Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” foli gjithashtu për përshtypjet e mira për UBT-në ndërsa tregoi se pjesë e mësimdhënies dhe stafit akademik në universietin e tyre në Gjilan, bëjnë pjesë edhe pedagogë të doktoruar në UBT.

Prof. Fatbardh Sallaku përmendi gjithashtu marëdheniet e mira që UBT ka me disa universitete të Kosovës. Palët ranë dakort që përveç nënshkrimit të marëveshjes së sotme, një hap që i paraprin bashkëpunimit të mëtejshëm, të zhvillojnë të tjera takime për të evidentuar më së miri fushat e bashkëpunimit dhe për t’i konkretizuar ato.

 
Kliko këtu për tu kthyer te NEWSLETTER