Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

UBT renditet në vendin e parë për frekuentimin online të mësimit dhe cilësinë e shërbimeve ndaj studentëve gjatë 3-mujorit të parë të vitit akademik 2020-2021

Qëndresa Qytetare ka publikuar së fundmi rezultatet e një sondazhi të kryer për mësimin online në nëntë universitete publike të vendit. Sipas të dhënave të bëra publike nëpërmjet paraqitjeve grafike, rezulton se Universiteti Bujqësor i Tiranës është renditur i pari përsa i përket  frekuentimit të rregullt të mësimit online me 79% të pjesëmarrjes së studentëve. Në vend të dytë klasifikohet Universiteti Politeknik i Tiranës dhe në vend të tretë renditet Universiteti i Mjekësisë.

Sipas këtij sondazhi, vetëm 21% e studentëve që arsimohen në UBT rezulton se nuk e kanë ndjekur rregullisht mësimin online në kushtet në të cilat ndodhemi aktualisht. Po sipas sondazhit rezulton se në rang vendi, 77.5 % e studentëve mësojnë nëpërmjet telefonit, 20.5% nëpërmjet laptopit ose kompjuterit dhe vetëm 2% e aksesojnë mësimin nga tabletat e tyre.

Ndërkaq 58% e të intervistuarve, duke justifikuar arsyet e mosfrekuentimit të rregullt të mësimit, thonë se kanë hasur mungesë të aksesit në internet, 17% e tyre e arsyetojnë këtë me mungesën e pajisjeve digjitale dhe 25% me mungesën e platformave dhe teksteve digjitale.


Gjithmonë sipas sondazhit, UBT renditet gjithashtu në vendin e parë dhe për cilësinë e mësimit dhe shërbimit ndaj studentëve duke vlerësuar efektivitetin e mësimit online, përgatitjen dhe gadishmërinë e pedagogëve, dhe shërbimet e ofruara nga sekretaria e UBT-së.

Sondazhi i realizuar nga Qëndresa Qytetare, kishte në fokus efektivitetin dhe ecurinë e mësimit online për 3-mujorin e parë të vitit akademik 2020 – 2021. Në të morën pjesë 610 studentë nga 9 universitete publike.

Që prej fillimit të vitit shkollor 2020-2021, UBT u ka mundësuar studentëve zhvillimin e mësimit online nëpërmjet platformave virtuale lehtësisht të aksesueshme si Google Meet, Zoom, Microsoft Teams, etj.

Ky sondazh evidenton dhe një herë seriozitetin dhe angazhimin e e plotë të UBT-së dhe stafit të tij akademik dhe administrativ në realizimin me sukses të mësimdhënjes dhe shërbimeve ndaj studentëve gjatë periudhës së kufizimeve për shkak të pandemisë Covid-19.

Sondazhin e plotë mund ta gjeni në linkun:
https://qq.com.al/wp-content/uploads/2020/12/Vleresimi-i-mesimit-online-Dhjetor-2020-pdf.pdf

 

Kliko këtu për tu kthyer te NEWSLETTER