Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

UBT ofron studimet në master profesional për studentë afganë

UBT konkretizon bashkëpunimin me Universitetin Shtetëror të Miçiganit (SHBA) duke u dhënë mundësi 12 studentëve afganë të ndjekin studimet në Masterin Profesional “Teknologji të Avancuara në Hortikulturë”. Me këtë rast, të rinjtë afganë u pritën sot në një takim miqësor nga Rektori i UBT-së dhe stafi i tij i ngushtë ndërsa u njohën shkurtimisht me ofertën didaktike të UBT. Studimet e tyre në UBT u mundësuan pas kërkesës së “Qendrës Globale për Inovacion në Sistemet Ushqimore” (Global Center for Food Systems Innovation, GCFSI) pranë Universitetit të Miçiganit për t’u ofruar mundësinë e zhvillimit të studimeve në master profesional. UBT vendosi të miratojë për ta zhvillimin e studimeve në ciklin e dytë të Masterit Profesional 1-vjeçar “Teknologjitë e avancuara në Hortikulturë’’ të departamentit të Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit në gjuhën angleze. Tashmë 12 studentët afganë nga Universiteti i Kabulit janë regjistruar dhe do të nisin javën e ardhshme mësimin me lektorët e Departamentit të Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit.

Në fjalën e mirëseardhjes, Rektori Sallaku u shprehu mirëseardhjen në këtë Universitet duke i uruar suksese studentëve afganë dhe gjithë mbështetjen e nevojshme në mënyrë që të përshtaten sa më lehtë dhe sa më mirë me ambientet e reja të mësimdhënies.  Prof. Sallaku u shpreh se ndihet i lumtur që institucioni që ai drejton, mund të kontribuojë  për t’u ardhur në ndihmë studentevëve afganë që të mos shkëputen nga studimet dhe t’u ofrojë atyre mësimdhënie cilësore prej një stafi të kualifikuar dhe tepër profesionist. Ai shtoi se siguria dhe mirëqënia e tyre janë mjaft të rëndësishme për rektoratin dhe universitetin tashmë që ata janë pjesë e UBT-së.

Për t’ua bërë sa më të lehtë familjarizimin me këtë universitet, Rektori Sallaku u tha studentëve se tashmë duhet ta konsiderojnë veten si studentë me status të plotë, ashtu si çdo student tjetër në Shqipëri, vendas apo i huaj qoftë.

Pas takimit në ambientet e rektoratit, të rinjtë e të rejat afgane zhvilluan një vizitë në të gjithë njësitë akademike dhe ndihmëse të Kampusit të UBT.

Ky angazhim i UBT për kualifikimin e këtij grupi studentësh shërben si një pikënisje e një bashkëpunimi më të gjerë me Universitetin Shtetëror të Miçiganit, duke i hapur kështu rrugën një shkëmbimeve të personelit akademik, kërkimeve shkencore të përbashkëta dhe ngritjes së kapaciteteve në drejtim të transferimit të njohurive. UBT synon të shndërrohet në një qendër e prezencës akademike në rajonin e Ballkanit Perëndimor për Universitetin e Miçiganit dhe përfshirjes së Rajonit në programet e tij si Global Center for Food Systems Innovation (GCFSI), Gran Research and Innovation (GRI), etj.