Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

UBT ofron programe Bachelor sipas modelit gjerman DUAL në shkencat zooteknike!

Ftojmë maturantët të aplikojnë në programet universitare BACHELOR DUAL, sipas modelit gjerman, në drejtimet e shkencave zooteknike, përkatësisht Bachelor në “Zootekni & Siguria e Produkteve Blegtorale” dhe Bachelor në “Bioteknologji Zooveterinare” që ofron Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT).

Këto programe i ofron UBT, sipas sistemit DUAL Gjerman, në kuadër të PROJEKTIT EUROPIAN ERASMUS PLUS, në bashkëpunim me Universitetin Nürtingen, Gjermani dhe Universitetin Savonia, Finlandë.

Cfarë nënkupton Bachelor DUAL?  Nënkupton Formim universitar duke kombinuar Teorinë në auditor me Praktikën profesionale në biznese/institucione (2 vite akademike Teori + 1 vit akademik Praktikë profesionale).

Studimet universitare DUALE ka përparësitë të shumta, krahasuar me formën e zakonshme të studimeve universitare, si: nivel i lartë profesional, praktik dhe teorik; punësim i menjëhershëm pas diplomimit; familjarizim me profesionin që gjatë studimeve, dhe aftësim për krijimin e sipërmarrjeve të reja. Këto përparësi të modelit DUAL i përgjigjen më së miri aftësive që kërkon tregu i punës nga të diplomuarit.

Tregu i punës ka nevoja të mëdha për specialistë të zooteknisë. Modernizimi i bujqësisë dhe blegtorisë rrit nevojat e tregut specialistë që do të punojnë në: agjencitë & drejtoritë rajonale e bashkiake; inspektoriatet shtetërore; agjencitë e shërbimit këshillimor në bujqësi; kompanitë e huaja dhe të vendit të ushqimeve; laboratorët e analizave (shtetëror dhe privat); institucionet financiare për bujqësinë (banka, etj) si dhe kompanitë e konsulencës, të vendit dhe të huaja. Gjithashtu, të diplomuarit në programet DUALE aftësohen për të krijuar bizneset e tyre në bujqësi dhe blegtori.

BACHELOR DUAL në Zootekni është një diplomë e njohura jashtë vendit, pa provime plotësuese, e cila mundëson një punësim më të shpejtë. Projekti Erasmus që mbështet programin Bachelor Dual siguron 4 muaj studime në universitetet e huaja në Finlandë dhe Gjermani. Intershipi / praktika e gjatë profesionale gjatë studimeve realizon një familjarizim të plotë me profesionin. Në këtë program do të japin mësim jo vetëm profesorë të UBT dhe profesorë të huaj të universiteve partnere. Pjesa teorike e programit zhvillohet në laboratorë modern mësimorë shkencorë si dhe në auditore të pajisur edhe me infrastrukturë moderne digjitale (Hybrid) për të dëgjuar leksione apo për të marrë pjesë në leksione në kohë reale të universiteve të huaja. Programet Duale Bachelor në Zootekni & Siguri e produkteve blegtorale si dhe Bioteknologji Zooveterianre janë shpallur si programe prioritare dhe studentët që do të studjojnë në to dhe kanë mesatare note mbi 8,5 përfitojnë edhe bursë.

Për tu përgatitur për studimet simestrale në Gjermani dhe Austri, UBT ofron përmes Qendrës Goethe mësimin e gjuhës gjermane. Përveç anglishtes, studentët tanë do të zotërojnë edhe gjermanishten, pra dy gjuhë të huaja të mëdha që janë dy dritare shumë të mëdha për formimin dhe karrierën e studentëve tanë.

Pas studimeve Bachelor, UBT ofron programe të shkëlqyera Master për t’u thelluar në shkencat zooteknike dhe shkenca e tjera bujqësore. Këto shkenca të bukura po përjetojnë një “Revolucion” të vërtetë për shkak të zhvillimeve të shpejta në biologji molekulare, bioteknologji, mikrobiologji, kibernetikë biologjike, bioinformatikë, digjitalizim dhe teknologji informacioni, etj. Meqënëse synimi kryesor i një bujqësie dhe blegtorie moderne dhe miqësore me mjedisin, është prodhimi i ushqimeve cilësore dhe të sigurta për njeriun, të shkolluarit në shkencat zooteknike, agronomike dhe shkencat e tjera bujqësore njihen ndryshe edhe si “ekspertët e ushqimit në shkallë globale“.

Zhvillimi i programit të studimeve universitare Duale në UBT, sipas modelit gjerman, u bë i mundur përmes mbështetjes së plotë jo vetëm të Dekanatit dhe Rektoratit tonë dhe universiteve partnere nga Gjermania dhe Finlanda, por edhe të partnerëve të shumtë të prodhimit, të shumë fermave tona blegtorale të mëdha dhe të mesme, të kompanive të ushqimeve për blegtorinë, ekspertëve të blegtorisë, Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Shoqatave të prodhuesve të qumështit, mishit dhe vezëve, organizatave jo qeveritare që punojnë në sektorin të blegtorisë (Nucleus Albania; Qendra e Zhvillimit të Blegtorisë), si dhe agjencive/drejtorive rajonale dhe qendrore të sistemit të bujqësisë, të ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si dhe të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive. Ne i falenderojmë të gjithë partnerët e sektorit privat dhe publik të fushës së bujqësisë dhe blegtorisë për mbështetjen e tyre të plotë për implementimin e modelit Dual të studimeve universitare në fushën e Zooteknisë në UBT. Ata do të jenë partnerët tanë për realizimin e intershipit gati 1-vjecar të studentëve tanë, cka nënkupton një kontribut shumë të cmuar të tyre për përgatitjen e brezit të ri të specialistëve, të cilët do të jenë bartës të zhvillimit të sektorit të blegtorisë së vendit tonë në 4-5 dekadat e ardhshme.

Të dashur maturantë të gjimnazeve dhe shkollave profesionale, ju ftojmë të zgjidhni programet e studimeve DUALE Bachelor në shkencat zooteknike. Ju do keni mundësi për karrierë të sigurtë profesionale dhe shkencore në sektorin më të rëndësishëm të ekonomisë tonë, bujqësia, blegtoria dhe ushqimi.

Profesor Myqerem Tafaj

Universiteti Bujqësor i Tiranës