Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

UBT nënshkruan marrëveshje

Një delegacion nga stafi akademik i Universitetit të Afyon Kocatepe në Turqi vizitoi sot Universitetin Bujqësor të Tiranës me ftesë të këtij të fundit, në kuadër të zbatimit të programit Erasmus. Delegacioni i përfaqësuar nga Rektori, Mehmet Karakaş; dekani i Fakultetit të Teknologjisë, Ayhan Erol dhe drejtori i IRO, İhsan Cemil Demir, në universitetin ne Afyion-it, u mirëprit  nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku dhe stafi i tij i ngushtë. Ardhja e profesorëve turq në UBT pason vizitën e zhvilluar kohë më parë në universitetin e Afyon-it të ish-rektorit Bahri Musabelliu ku u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi mes palëve.

Me qëllimin për ta konkretizuar këtë marrëveshje, për ta bërë atë sa më funksionale dhe për të zgjeruar edhe më tej fushat e bashkëpunimit mes dy universiteteve, u zhvillua në ambientet e UBT takimi i sotshëm, ku ndër të tjera u diskutua për fushat e mundshme të bashkëpunimit, për mundësitë e shkëmbimit të eksperiencave akademike por edhe për programe studimore për studentët e të tjera.

Rektori Sallaku ndërsa falenderoi kolegët turq për këtë vizitë, i njohu ata shkurtimisht me historikun e UBT-së, me kapacitetet dhe programet e ndryshme që ofron, me asetet mjaft të rëndësishme që ka ky universitet si një vlerë e shtuar për IAL-të shqiptare. Ai foli për sukseset që kanë patur disa nga programet studimore dhe që janë përqafuar me entuziasëm nga studentët.  Ndër të tjera Prof. Sallaku falenderoi kolegët turq për bashkëpunimin e deritanishëm dhe kontributin e dhënë prej tyre veçanërisht për akomodimin e disa studentëve në fakultetet turke falë edhe programeve Erasmus. Në këtë kuadër ai shprehu dëshirën dhe vullnetin e tij personal dhe atë institucional për të forcuar më tej bashkëpunimin me partnerët turq, ndërsa u angazhua për të mbështetur iniciativat apo idetë e paraqitura nga pala turke si dhe për të ofruar të gjitha kapacitetet e UBT-së në ndihmë të studentëve turq. Vitet e fundit dhjetëra studentë shqiptarë nga UBT kanë kryer studime në universitetin turk, falë edhe programeve Erasmus ndërsa pedagoge/ë të ndryshëm nga UBT kanë patur mundësinë e shkëmbimit të eksperiencave të tyre akademike në këtë universitet.

Për frymën e bashkëpunimit të mëtejshëm, për zgjerimin e marrëdhënieve mes dy universiteteve, për implementimin e projekteve të përbashkëta, për lehtësimin e procedurave të përbashkëta e të tjera, foli edhe Rektori i Universitetit të Afyon, Mehmet Karakaş i cili gjithashtu falenderoi rektoratine UBT-së për mikpritjen dhe mundësimi e kësaj vizite.

Ai tha se ardhja e tyre në UBT është një mundësi e shkëlqyer për të njohur më nga afër palët respektive, pasi kjo do të shërbejë të mirës së përbashkët në të ardhmen përsa i përket bashkëpunimit dypalësh.

Pasi pala turke përshkroi gjithashtu për palën shqiptare, universitetin e Afyon-it dhe atë se çfarë ofron ai, u nënshkrua edhe marrëveshja e përbashkët mes UBT-së dhe Universitetit të Afyon.

Në përfundim të takimit, delegacioni i profesorëve turq vizitoi ambientet e kampusit të UBT-së.