Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

UBT lancon portalin e parë informues mediatik në fushën e bujqësisë UBgreen.al

Nisur nga mungesa në treg të informacionit koherent e të besueshëm me fokus bujqësinë, mjedisin, dhe zhvillimin rural në Shqipëri, që prej fundit të vitit 2020, UBT filloi të punojë mbi idenë e krijimit të një portali informues mediatik i cili do të mundësojë aksesin në informacion të plotë teknik të përgatitur nga profesorë dhe ekspertë të fushave përkatëse.

Si rezultat i mbështetjes së vazhdueshme dhe angazhimit personal të Rektorit të UBT, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, dhe i një pune gjithëpërfshirëse dhe intensive tremujore, stafi i drejtorisë së komunikimit në UBT, bëri të mundur në muajin shkurt lancimin online të UBgreen.al dhe afishimin e artikujve dhe publikimeve të tjera në këtë portal.

Kjo platformë, jo vetëm informuese me lajmet dhe risitë e fundit në fushën e bujqësisë, por edhe me materiale, studime e analiza të sektorëve të punuara nga stafi akademik i UBT, i vjen në ndihmë aktorëve kryesorë në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural në një kohë kur aksesi në informacion online është më i nevojshëm se kurrë më parë.

UBgreen.al i ofron mundësinë të gjithë stafit akademik të UBT dhe jo vetëm, të publikojnë artikuj, lajme, studime e analiza, manuale teknike, ilustrime grafike e tutoriale video të kategorizuara në mënyrë sa më të thjeshtë për përdoruesit e portalit.

Objektivi kryesor i portalit është plotësimi i nevojave të fermerëve, bisneseve, e institucioneve të ndryshme me shërbim këshillimor për të zhvilluar sektorin e bujqësisë dhe rritur konkurrueshmërinë e produkteve vendase, me synim final përmirësimin e kushteve të jetesës në zonat rurale dhe zhvillimin ekonomik vendor.

UBgreen.al, falë bashkëpunimit të stafit akademik, vetëm gjatë 45 ditëve të para, arriti të publikojë dhe të ofrojë për audiencën e portalit rreth 88 artikuj, 13 materiale teknike (studime, analiza dhe manuale), dhe 11 video tutoriale.

Portali UBgreen.al është një iniciativë e Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT). Ky portal menaxhohet nga drejtoria e komunikimit në këtë universitet i mbikqyrur dhe mbështetur nga bordi drejtues i portalit. Ubgreen.al i bën thirrje të gjithë stafit akademik, partnerëve të UBT, si dhe studentëve nga të gjitha fakultetet e tij dhe nivelet e studimit, të dërgojnë artikuj, materiale, dhe opinione mbi fushat e tyre të specializimit në communication@instant.al/ubttest.

Kliko këtu për tu kthyer te NEWSLETTER