Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

UBT firmos marrëveshje bashkëpunimi me SH.K.K. FED Invest

U nënshkrua më 2.3.2021 në ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet këtij të fundit dhe SH.K.K. FED Invest. Marrëveshja u firmos nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku dhe nga z. Perlat Sulaj, administrator i ‘’FED invest’’ me optimizmin dhe vullnetin për të vijuar me bashkëpunime konkrete midis dy institucioneve në sektorin e bujqësisë. Kjo marrëveshje u nënshkrua në kuadër të bashkëpunimit dypalësh për zhvillimin dhe transmetimin e dijeve përmes mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe shërbimeve nga institucionet e arsimit të lartë. Nëpërmjet saj, synohet sigurimi i bashkëpunimit midis dy institucioneve lidhur me përmirësimin e përmbajtjes së programeve të studimit në kuadër të bashkërendimit të përmbajtjes teorike me aspektet praktike për një përgatitje sa më cilësore dhe profesionale të studentëve në fushën e bujqësisë, agrobiznesit, agropërpunimit, ekonomisë dhe financave rurale. Gjithashtu kjo marrëveshje synon shfrytëzimin sa më të mirë të informacionit shkencor, infrastrukturës funksionale dhe intelektuale të të dy institucioneve.

Gjatë diskutimit mes përfaqësuesve, palët shprehën gatishmërinë për t’u angazhuar në fusha të tilla si; promovimi i të rejave më të fundit në sektorin e bujqësisë, blegtorisë, zhvillimit rural, agropërpunimit, agroturizmit, financat rurale dhe TIK në sistemin e AGB. Ndër të tjera një gjë e tillë mund të sigurohet edhe nëpërmjet publikimit të artikujve, studimeve dhe punimeve të studentëve dhe stafit akademik në platformën e FED Invest (www.abaonline.al), në portalin UBgreen.al të UBT-së, Revistën Shqiptare të Shkencave Bujqësore (AJAS) që botohet nga UBT dhe atë të FEA-s, Ekonomia dhe Agrobiznesi (JEA). Marrëveshja do të mundësojë gjithashtu shkëmbimin e praktikave më të mira për teknologjitë e prodhimeve bujqësore dhe proceseve në të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor si dhe kryerjen e studimeve të përbashkëta për teknologjitë e prodhimit, tregun e prodhimeve bujqësore, inputeve bujqësore, menaxhimin e fermave bujqësore, etj.

Rektori i UBT-së, ndërsa falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe shprehu gatishmërinë e tij por edhe të stafit për bashkëpunime të mëtejshme, theksoi edhe një herë faktin se Universiteti Bujqësor i Tiranës është alternativa e vetme për ekspertizat në fusha e sektorë të bujqësisë.

Bashkëpunimin mes palëve e mbështeti edhe administratori i SH.K.K. FED Invest, z. Perlat Sulaj i cili tha se bashkëpunimi me UBT-në është në AND-në e vetë institucioneve.
SH.K.K. FED Invest ofron një gamë të gjerë produktesh dhe shërbimesh financiare, veçanërisht për popullsinë që jeton në zonat rurale të Shqipërisë, me qëllim rritjen e përfshirjes financiare dhe reduktimin e përgjithshëm të varfërisë.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet UBT-së dhe SH.K.K. FED Invest morën pjesë Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbard Sallaku; zv/rektori për mësimin Prof. Asoc. Dr. Ilir Kapaj; zv/rektori për marrëdhëniet me institucionet dhe publikun Prof. Dr. Alban Ibraliu; Administratori i UBT-së, Edmond Tërthorja; dekani I Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Prof. Dr. Remzi Keco; Administratori i SH.K.K. FED Invest, Perlat Sulaj; Behar Gjoni, Drejtor i Departamentit të Biznesit SH.K.K. FED Invest; Prof. Dr. Drini Salko, pedagog në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit, UBT, dhe anëtar i Këshillit Drejtues SH.K.K. FED Invest.