Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

UBT firmos marrëveshje bashkëpunimi me ISUV e AKVMB. Ministrja Ekonomi mbështet Universitetin Bujqësor të Tiranës

UBT firmosi më 23.3.2021 marrëveshje bashkëpunimi me ISUV dhe AKVMB në praninë edhe të ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi. Marrëveshjet respektive synojnë të strukturojnë dhe të krijojnë hapësira bashkëpunimi midis institucioneve në funksion të rritjes së roleve dhe funksioneve të tyre përmes shfrytëzimit më të mirë të kapaciteteve apo burimeve të tyre. Ministrja Ekonomi i vlerësoi këto marrëveshje si një hap përpara në bashkëpunim me UBT, jo vetëm në të mirë të studentëve por edhe për të ndërmarrë e realizuar një sërë projektesh kërkimore të përbashkëta me kontributin e ekspertëve nga secili prej institucioneve. Ministrja theksoi se ndërmjet UBT dhe MBZHR ka hapësira të shumta për të bashkëpunuar në sektorin e bujqësisë. Ajo shtoi se ministria që ajo drejton ka shumë nevojë për të bashkëpunuar me UBT, për të përfituar nga ekspertiza dhe kapacitetet që ofron ky universitet si i vetmi në llojin e tij në vendin tonë. Ndërkaq Rektori i UBT, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku shprehu mbështetjen e tij dhe të institucionit që ai drejton jo vetëm për ISUV dhe AKVMB si institucione në varësi të MBZHR dhe institucioneve të tjera të ngjashme, por siguroi të pranishmit se UBT ka qenë dhe do të vazhdojë të mbetet partner i rëndësishëm i kësaj ministrie. Duke theksuar se UBT është një qendër ekselence ku ofrohet ekspertiza më e mirë për zhvillimin e bujqësisë shqiptare dhe se UBT është i dobishëm për të gjithë shoqërinë, prof. Sallaku shtoi se është mjaft e rëndësishme që ministria e Bujqësisë dhe agjensitë që operojnë në fushën e sigurisë ushqimore të bashkëpunojnë më institucionet akademike me qëllim identifikimin e problematikave dhe domosdoshmërisë për kompetenca dhe njohuri të reja në lidhje me shëndetin publik, shëndetin e kafshëve, të bimëve, mbrojtjen e mjedisit, menaxhimin dhe mirëadministrimin e fermave etj, pasi të gjitha këto do të bëjnë të mundur arritjen e objektivave për zhvillimin e qëndrueshëm bujqësor.

Marrëveshjet e firmosura nga dr. e përgjithshme e AKVMB, Prof.As. Dr. Tana Kika,   kreu i ISUV, z. Armand Reveli dhe Rektori i UBT, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, synojnë një sërë formash bashkëpunimi. Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë dhe Universiteti Bujqësor do të bashkëpunojnë për identifikimin dhe implementimin e prioriteteve në fushat e kërkimit shkencor, ekspertizës, analizave laboratorike, trajnimeve, transferimit të teknologjive dhe ofrimit të shërbimeve në fushat e lartpërmendura. Ndërkaq marrëveshja ndërmjet Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka për qëllim bashkëpunimin midis palëve në drejtim të mbështetjes së studentëve të fakulteteve të UBT në mënyrë të përshtatshme për të zhvilluar njohuri të shëndosha dhe aftësi praktike si dhe në projekte kërkimore në fushat respektive të stafit në të dy institucionet. AKVMB dhe UBT do të bashkëpunojnë për identifikimin dhe implementimin e prioriteteve në fushën e ekspertizës, analizave laboratorike, trajnimeve, transferimit të teknologjive dhe ofrimit të shërbimeve në fushat të tilla si shëndeti dhe mirëqenia e kafshëve, mbrojtja e bimëve, prodhimet blegtorale dhe siguria e tyre etj.

Ndërkaq ministrja Ekonomi ndërsa falenderoi UBT për ftesën në këtë event të nënshkrimit të marrëveshjeve, vuri në dukje disa problematika me të cilat përballet bujqësia dhe vetë institucioni të cilin ajo drejton në këtë aspekt. Ajo tha se në Shqipëri mungon një sistem i mirë i grumbullimit të të dhënave dhe se më të dhënat aktuale të MBZHR, nuk mund të orientohen politikat  e duhura agrare. Gjithashtu ajo shtoi se në këtë institucion mungon edhe një regjistër fermash në bujqësi. Për këto dhe të tjera çështje, ministrja Ekonomi shtoi se nevojitet pa diskutim kontributi dhe asistenca e UBT, universitet ku edhe ka studiuar kohë më parë. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural foli edhe për rolin ka ky institucion në sektorin e bujqësisë duke përmendur veçanërisht meritat e këtij institucioni në mbështetjen që i ka dhënë fermerëve gjatë pandemisë COVID 19.  Ndër të tjera ajo foli edhe për reformën veterinare që padyshim sipas ministres, është një sukses i madh, por gjithashtu ka edhe një çështje të pazgjidhur dhe që është ende në proces, siç është ajo e thertoreve.

Duke evidentuar faktin se sa e rëndësishme është bujqësia dhe të gjithë sektorët e saj në jetën e gjithësecilit prej nesh por duke nxjerrë në pah edhe problematikat që shfaq ky sektor, të pranishmit u dakordësuan për dosmodoshmërinë e bashkëpunimit të mëtejshëm dhe të frytshëm mes palëve për të arritur rezultate sa më efikase për shëndetin publik dhe jo vetëm.

“Nëse biem dakort që bujqësia është përparësia numër një në agjendën e zhvillimit ekonomik, atëherë duhet të pajtohemi se siguria ushqimore, shërbimi veterinar apo mbrojtja e bimëve janë kritike për arritjen e një bujqësie konkurruese’’ – theksoi Rektori i UBT në fjalën e tij ndërsa nuk la pa përmendur mbështetjen që MBZHR ka dhënë për Universitetin Bujqësor të Tiranës.

 
Kliko këtu për tu kthyer te NEWSLETTER