Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

UBT firmos marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

Universiteti Bujqësor i Tiranës nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë me qëllim rregullimin e bashkëpunimit ndërinstitucional mes palëve si dhe midis strukturave përbërëse të tyre, përcaktimin e prioriteteve themelore të bashkëpunimit dhe mënyrën e zbatimit të tyre, mbështetur në legjislacionin në fuqi. Marrëveshja u firmos nga kreu i ASHSH, Akademiku Skënder Gjinushi dhe Rektori i UBT, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku.

Parim themelor rregullues për bashkëpunimin e palëve është autonomia akademike dhe universitare. Ato bashkëpunojnë duke respektuar njëra-tjetrën në vetëveprimin e tyre të rregulluar me ligje dhe me akte nënligjore, duke ruajtur dhe zhvilluar traditat më të suksesshme përmes nismash, projektesh dhe veprimtarish të përbashkëta akademike e universitare.  Bashkëpunimi midis dy institucioneve shtrihet në të gjitha fushat e dijes dhe të shkencës.

Palët bashkëpunojnë me përparësi në shkencat bujqësore dhe dijet që lidhen me to; në fushën e gjenetikës dhe bioteknologjisë; në fushën e shkencave të jetës; në disiplinat e reja që zbatohen në bujqësi, si nanoteknologjia dhe bioshkenca si dhe në disiplina që lidhen me çështje imperative, si pandemitë. Ndër të tjera palët u dakordësuan të bashkëpunojnë për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore, si: kuvende, kongrese, konferenca, forume, simpoziume etj., për kryerjen e studimeve të përbashkëta, aplikimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta shkencore vendore, rajonale dhe europiane si dhe për nxitjen dhe promovimin e studiuesve të rinj. Marëveshja parashikon një sërë bashkëpunimesh të veçanta të tilla si marrja pjesë e njësive bazë të studimit dhe Senatit akademik të UBT-së në procesin e promovimit të kandidatëve për anëtarë të Asamblesë së ASHSH, në zgjerim të traditave të mirënjohura të bashkëpunimit siç parashikohet në Ligjin dhe në Statutin e saj.

Ndër të tjera palët i sigurojnë njëra-tjetrës shkëmbimin e ndërsjellë dhe të pakushtëzuar të informacionit shkencor, të periodikëve që botojnë, të studimeve dhe monografive. Gjithashtu falë marrëveshjes së firmosur, dy institucionet mund të shkëmbejnë ekspertiza dhe mbikëqyrje të përbashkëta të veprimtarisë shkencore në ekspedita dhe në kërkime.

Kliko këtu për tu kthyer te NEWSLETTER