Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

Thirrje për Aplikim për programin e studimeve të ciklit të tretë “Doktoratë” pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës

Lënda: Thirrje për Aplikim për programin e studimeve të ciklit të tretë “Doktoratë” pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës

Universiteti Bujqësor i Tiranës në zbatim të miratimit zyrtar të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit lidhur me riorganizimin e Programeve të Studimit të Ciklit të Tretë “Doktoratë” në :

  1. Shkenca dhe Bioteknologjia Ushqimore,
  2. Shkenca Mjedisore
  3. Shkencat Bujqësore
  4. Ekonomi dhe Agrobiznes
  5. Shkenca Veterinare

ka hapur thirrjen për aplikim për të gjithë personat e interesuar.

Për sa më sipër ftohen të gjithë të interesuarit që përmbushin kriteret ligjore të përcaktuara në Ligjin Nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” të aplikojnë për tu regjistruar në programet e studimit të ciklit të tretë “Doktoratë”, të përmendura më lart.

Personat e interesuar duhet të dorëzojnë pranë zyrave të Zv/Dekanit për programet e studimeve të ciklit të tretë ne Fakultetin përkatës, dosjen me dokumentacionin e kërkuar dorazi ose me postë duke filluar nga data 11 Janar deri në datë 31 Janar 2022.

Dosja duhet të përmbajë dokumentat e mëposhtme:

  1. Kërkesë personale drejtuar njësisë bazë ose kryesore, përgjegjëse për organizimin dhe administrimin e studimeve të ciklit të tretë;
  2. CV personale dhe nje listë e punimeve shkencore, të cilat duhet të jenë pjesë e dosjes së aplikimit (në rastin kur personi që aplikon ka të tilla);
  3. Kopje të noterizuara të diplomës universitare, kopje të noterizuar të diplomës “Master i shkencave” (ose të një diplomë ekuivalente me të si “DND”), si dhe kopje të noterizuar të listës së notave për të gjitha nivelet e studimeve/diplomave. Kriteri lidhur me notën mesatare që kërkohet për kualifikim, është përcaktuar specifikisht nga njësitë kryesore sipas fushave të studimit që ofrojnë.
  4. Vërtetim që është personel akademik në njërën prej njësive bazë të UBT-së ; vërtetim që është personel akademik në një institucion tjetër të arsimit të lartë; vërtetim që është personel kërkimor në një institucion të kërkimit bazë ose të zbatuar.
  5. Fotokopje e ID ose pasaportës;
  6. Dy fotografi;
  7. Dy rekomandime nga persona me titull akademik;
  8. Një deklaratë nëpërmjet së cilës pranohet shlyerja e të gjitha detyrimet financiare, lidhur me koston e studimeve sipas përcaktimeve të bëra nga strukturat e UBT-së;
  9. Një propozim në të cilin të përcaktohet fusha me interes për ndjekjen e studimeve të ciklit të tretë se bashku me emrin e udhëheqësit shkencor;
  10. Për aplikantet që nuk janë staf akademik i njësive përbërëse të UBT-së, perveç pagesës së tarifës zyrtare, kërkohet konfirmimi/dokumentimi që vërteton përballimin e të gjitha shpenzimeve dhe kostove të studimeve te doktorates, nëpërmjet depozitimit të projektit shkencor të fituar apo ndonje kontrate financiare të vlefshme, sipas përcaktimeve të bëra nga strukturat e UBT-së;
  11. Kandidati duhet të dorëzojë dëshmi origjinale ose të noterizuar të njohjes së njërës prej gjuhëve të huaja (përkatësisht gjuhës angleze, gjuhës frënge, gjuhës gjermane, gjuhës italiane ose gjuhës spanjolle). Dokumneti i njohjes së gjuhës së huaj mund të jetë një certifikatë, diplomë ose dëshmi e lëshuar nga subjekti të njohura nga ministria përgjegjëse për arsimin për ofrimin e testimeve ndërkombëtare, të cilat i përkasin një periudhe jo më vonë se dy vjet nga koha e lëshimit të tyre.
  12. Mandat për tarifën e aplikimit për konkurrim në vlerën 2000 (dy mijë) lekë.

Aplikimet që nuk përmbajnë dokumentet e sipërpërmendura nuk merren në konsideratë.

Dokumentat e dorëzuara gjatë këtij aplikimi, nuk mund të tërhiqen nga aplikanti, por arkivohen në institucion.

Për informacion më të detajuar lidhur me kriteret specifike, procedurat e aplikimit, përzgjedhjes dhe pranimit ju lutem referojuni njësisë kryesore që ofron fushën e studimit që ju intereson duke vizituar faqen web të Universitetit Bujqësor të Tiranës: https://ubt.edu.al

UBT_Doktorate_Thirrje_2022